A rriten interesat në 2024? Skenar i mundshëm për shkak të Inflacionit ende të lartë

Nga Marjo Brakaj
21 Dhjetor 2023, 15:22 | Ekonomi
 
Pas Rezervave Federale Amerikane, Bankës Qendrore Europiane edhe Banka e Shqipërisë zbatoi “marrëveshjen e pashkruar” për të mos rritur më tej normat e interesit në prag të fund-vitit. Vendimmarrja e institucioneve më të larta monetare vjen në një kohë që inflacioni vijon të përcjellë sinjale frikë.

 “Pasojat e luftës po vazhdojnë e po ndihen duke bërë që kriza të zgjasë edhe në vijim”, u shpreh Edison Zaçaj, pedagog ekonomie.

Si kundërpërgjigje ndaj krizës së çmimeve Banka Qendrore rriti me dy herë normën bazë të interesit për lekun këtë vit, në mars dhe fillim-muajin e shkuar.  Ilaçi i hidhur, por i domosdoshëm ka kuruar disi inflacionin. Treguesi është gati përgjysmuar në raport me fillim-vitin duke iu afruar objektivit 3 për qind.

Po a do të thotë kjo se koha e rritjes së normave të interesit ka marrë fund?

 “Jemi ende larg stabilizimit të kërkesës me ofertën. Duke qenë se të vetmin element që bankat kanë është rritja e normës bazë të interesit, me inflacion tepër të lartë besoj se dhe këtë vit që vjen do të kemi vendimmarrje të ngjashme”, tha ai.

Si pasojë edhe e rritjes së normave të interesit, ekonomia e vendit do të rritet më ngadalë sipas guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Nga ana tjetër edhe nga xhepat e shqiptarëve do të vijojë të dalin më shumë para duke theksuar më tepër varfërinë.

 “Është jetik harmonizimi i dy politikave, asaj monetare me atë fiskale.”. Duhet me patjetër qeveria të ndërhyjë tek ata që preken më tepër”, shtoi Zaçaj.

Banka e Shqipërisë parashikon që për së paku deri në mesin e vitit të ardhshëm, inflacioni të mbetet mbi objektivin 3 për qind. Kjo do të thotë se edhe nëse inflacioni do të bjerë në gjysmën e  dytë të 2024-s, çmimet nuk do të bien... ato thjesht do të rriten më ngadalë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos