Brenda datës 22 shkurt, Ministria e Financave do duhej të kishte nxjerrë aktet nënligjore për të bërë të zbatueshëm procesin e rivlerësimit. Por kjo nuk ka ndodhur. Përfaqësues të tregut ankohen se shitblerja e pronave veçanërisht në Tiranë ka ngecur.
“Ligji ka hyrë në fuqi më datë 22 janar dhe udhëzimet plotësuese pritet të hynë në fuqi brenda gjysmës së parë të muajit shkurt.”
Gjysma e parë e shkurtit bashkë me afatin në dispozicion kanë mbaruar por Ministria e Financave edhe nuk ka nxjerrë aktet nënligjore. Rrjedhimisht procesi i rivlerësimit të pronave është ende i pazbatueshëm.
Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA
“Janë vonesa të panevojshme që po shkaktojnë shumë kaos dhe humbje. Institucionet kanë pasur të gjithë kohën e nevojshme.”
Në pritje të bërjes të zbatueshëm të ligjit përfaqësues të tregut ankohen se shitblerja e pronave veçanërisht në Tiranë ka ngecur. Nëse kjo vijon, sipas tyre humbjet ekonomike do të jenë të konsiderueshme.
Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA
“Vonesa në trajtimin parlamentar të këtij propozimi, mungesa e konkretizimit të tij dhe paqartësia për të ardhmen ka sjell efekte tepër negative në bllokimin momental të tregut. Gjatë 5 viteve të fundit, ashtu si pjesa tjetër e tregjeve, Shqipëria ka operuar në tregun e shitësit. Me zvarritjen e trajtimit të këtij propozimi, thellohet hendeku i pronave në shitje duke u tërhequr nga tregu deri në sqarimin përfundimtar të tij.”
Fushata e rivlerësimit nuk do të ulë çmimet e apartamenteve vlerësojnë aktorë nga tregu i pasurive të paluajtshme.
Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA
“Qëllimi është të përmirësohet transparenca në treg, të rritet aktiviteti, të stimulohet oferta për blerësit e parë dhe të sigurohen të ardhura më të qëndrueshme për buxhetin e shtetit, pa ngadalësuar transaksionet apo krijuar informalitet”.
Veç akteve nënligjore, si pengesë në nisjen e rivlerësimit të pronave janë edhe çmimet e reja të referencave të cilat ende nuk janë miratuar. (A2 Televizion)