Pas fasonëve, turizmit apo ndërtimit edhe furrat e bukës janë dorëzuar... ato po kërkojnë gati me dëshpërim punonjës nga India, Filipinet, Bangladeshi apo Indonezia.
“Prej disa vitesh kontingjenti i nxënësve në Shkollat Profesionale në degën e “Teknologjisë Ushqimore” dhe posaçërisht bukëpjekës janë ulur nga viti në vit, kështu tek një shkollë e njohur Teknologjike për vitin 2018-2019 ka pasur 322 nxënës, ndërsa për këtë vit shkollor janë 86 nxënës në total për 4 vitet në “Teknologjinë Ushqimore”, ndërsa për grupin Bukë - Pastiçeri pothuaj nuk ka fare”, tha Gëzim Peshkopia, Kryetari i shoqatës të Bukës, Pastiçerisë dhe Brumërave.
Janë rreth 3800 furra buke në gjithë vendin. Një pjesë e konsiderueshme e tyre kanë nevojë sa për bukë-bërës e pjekës, shitës apo shpërndarës. Po a do të shkarkohen kostot e marrjes së fuqisë punëtore nga jashtë te çmimi i bukës?
“Nuk mendoj se marrja e fuqisë punëtore të huaj do të ndikojë në rritjen e çmimit të bukës. Prej kohësh Kryesia e Shoqatës dhe Administratorët e furrave të bukës janë të shqetësuar nga mungesa e fuqisë punëtore veçanërisht të specialistëve të bukës që tashmë është kthyer në një situatë alarmante. Pra për furrat e bukës nuk ka bukëpjekës (Furrxhi). Më e keqja është se as nga jashtë nuk i plotësojmë dot nevojat tona”, tha Peshkopia, transmeton A2 CNN.
Me pamundësinë për të siguruar gjithë personelin e nevojshëm nga jashtë, furrat e bukës kërkojnë nga qeveria të shpallë “Bukëpjekësit” si “Zanat në zhdukje”.
“Kërkojmë trajtimin e Kjo nuk është thjeshtë mbrojtje e një kategorie punonjësish por mbart në vetvete një Aset Kombëtar. Ne kërkojmë masa konkrete për të tërhequr kontigjentin të rinjsh të interesuar për këtë zanat, duke siguruar bursa studimi, mundësi akomodimi si dhe lehtësira të tjera. Kërkojmë të subvencionohet kategoria e specialitetit “Bukëbërës” (Furrxhi), me pagesa specifike për të lehtësuar pagat e larta që kërkohet në kushtet e mungesës të fuqisë punëtore”, tha Peshkopia.
Kryesisht për sektorin fason dhe atë të turizmit, janë rreth 40 mijë të huaj që pritet të vijnë në Shqipëri në muajt në vijim. Pas Filipineve dhe Balgladeshit, Shqipëria ka nisur negociatat me Indonezinë për të marrë punonjës nga andej. (A2 Televizion)