Alarmi i FMN: Shqipëria e sfiduar nga plakja dhe emigracioni

Nga Marinela Lina
27 Janar 2025, 14:42 | Ekonomi

Sfidat strukturore të ekonomisë po e mbajnë ende të sfiduar ekonominë shqiptare, pavarësisht ecurisë aktuale pozitive. Ky është vlerësimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportin e sapo publikuar për vitin 2024.

Edhe më sfiduese e bën situatën plakja e shpejtë e popullsisë dhe emigracioni.

“Pavarësisht ecurisë pozitive makroekonomike, Shqipëria përballet me sfida të rëndësishme strukturore. PBB-ja për frymë mbetet rreth një e katërta e niveleve të SHBA-së dhe BE-15, të ndikuar nga plakja e shpejtë e popullsisë dhe niveli i lartë i emigracionit. Zbatimi i reformave të thella, që përfshijnë përmirësimin e qeverisjes, forcimin e menaxhimit të financave publike, dhe rritjen e kapitalit njerëzor e produktivitetit, është thelbësor për të nxitur rritje afatgjatë dhe për të arritur harmonizimin ekonomik me standardet evropiane.”

FMN jep vlerësimin edhe për luhatjet në kursin e këmbimit që sollën dhe fuqizimin e mëtejshëm të monedhës kombëtare.

Duke pasur parasysh forcimin e qëndrueshëm të lekut të mbështetur nga bazat ekonomike, anëtarët theksuan se kursi i këmbimit duhet të jetë më fleksibël, ndërsa ndërhyrjet të shërbejnë si një mjet plotësues për luhatjet jo-themelore.

Rënie e borxhit publik, rritje e suficitit por dhe të inflacionit janë parashikimet e FMN për 2025.

“Rritja reale e PBB-së pritet të arrijë mesatarisht rreth 3.5% gjatë periudhës 2024–2029, e nxitur nga konsumatorët vendas, turizmi dhe aktiviteti ndërtimor. Inflacioni në fund të vitit 2024 pritet të jetë rreth 2%, efektet bazë nga një rënie e ndjeshme mujore në fillim të vitit 2024 do ta shtyjnë përkohësisht inflacionin të rritet në gjysmën e parë të vitit 2025, një rikthim i qëndrueshëm në objektiv nuk pritet përpara vitit 2026, për shkak të nivelit të lartë të ngurtësisë në procesin e inflacionit në Shqipëri.”

Bordi i FMN nënvizon rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit makroekonomik ndërsa kërkon nga Shqipëria reforma më të thella për të maksimizuar përfitimet nga procesi i pranimit në BE.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos