Për të arritur synimin e 1 miliardë eurove eksporte në 2030, por dhe rritjes së prodhimeve shqiptare, bizneset në vend duhet të përshtatin teknologjinë e nevojshme përballë ndryshimeve klimaterike. Nga konferenca ndërkombëtare për sfidat në agrikulturë, ekspertë në fushën e bujqësisë dhe industrisë apeluan për marrjen e masave kryesisht në nivel vendor.
"Ndryshimi klimatik ka impakt të drejtpërdrejt në cilësinë e prodhimit bujqësor në Shqipëri dhe kjo ndikon në konkurrencën ndërkombëtare. Duke qenë se Shqipëria ka synimin kryesor 1 miliardë eksporte deri në 2030 duhen instrumente që mundësojnë transformim. Sfidat globale kërkojnë masa kolektive. Kemi nevojë për zgjidhje konkrete në nivel vendor", tha Dorina Nati, eksperte industrial UNIDO.
Sipas ambasadores së Zvicrës, një ndër partnerët kryesorë në promovimin e politikave mbrojtëse për sektorin e agrokulturës, janë vetë bizneset ato që duhet të marrin masa të parat.
"Është bërë thelbësore që të përshtatemi me ndryshimet klimatike nëpërmjet hapave të qëndrueshme. SI agrobizneset dhe SME të përshtaten me këto dhe tu përgjigjen kërkesave të tregut global. Duke ndërmarrë këto masa mund të reduktojmë efektet negative te bujqësia dhe ushqimi. Fermerët, hulumtuesit e hartuesit e politikave të bashkohen për të mirën e vendit”, u shpreh Ruth Huber, ambasadore e Zvicrës në Shqipëri.
E ekspozuar ndaj reshjeve të shumta në dimër dhe ndaj thatësirës në verë, bujqësia shqiptare sipas dekanit të Universitetit Bujqësor të Tiranës vuan për një strategji të mirëmenduar të cilësisë.
"Nuk kemi strategji tërësore për problemet e cilësisë. Kemi strategji për zhvillimin dhe integrimin. Të gjitha nuk janë të lidhura në një umbrellë . Ne kemi fragmentim ekziston distanca me institucionet që merren me cilësinë dhe ato që merren me politikën bujqësore. Kjo na jep pamundësi për të vepruar. Është prevalenca e sëmundjeve që po na kthehet në problem. Fermerët tentojnë. Të mbrohen që të hyjnë me standardet e duhura në treg”, deklaroi Edvin Shllima, Dekan Universiteti Bujqësor i Tiranës.
Ndikuar nga faktorët klimaterik, por dhe luhatjeve të monedhës europiane, një vit më parë Shqipëria eksportoi rreth 440 miliardë lekë mallra ose 47 miliardë lekë më pak se në 2022. (A2 Televizion)