Sapo kanë mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier, të arrestuarit në kuadër të operacionit hetimor të zhvilluar në zyrat qëndrore të kompanisë “Bankers Petroleum” në Fier, Hong Ping Xiao dhe ish - administratori Leonidha Çobo.
Ata do të dalin sot para trupit gjykues, ku do të japin dëshminë e tyre para gjyqtares Gladiola Bregu dhe do të njihen me akuzat që rëndojnë mbi ta, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se Policia e Fierit ndërmori disa ditë më parë një aksion në zyrat qendrore të kompanisë “Bankers Petroleum”, që operon në fushën e nxjerrjes së naftës në Marinëz.
Me vendim të Gjykatës së Fierit u lëshuan 14 urdhër arreste, 9 prej tyre të ekzekutuar dhe 5 kinezë ende në kërkim. Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.
Arrestimi i drejtuesve të Bankers Petroleum me akuzat për fshehje të të ardhurave shënon vetëm kulmin e një marrëdhënieje të tensionuar mes kompanisë kineze dhe shtetit. Historia e përplasjeve në mbi dy dekada “bashkëjetesë të trazuar” mes kompanisë kineze e ka zanafillën shumë më herët.
Operacioni policor u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)