Administrata zbret në shesh! Kërkon 1 mijë e 183 qytetar të kualifikuar për të punuar në shtet

Nga Marjo Brakaj
27 Maj 2024, 14:45 | Ekonomi

Nga specialist të thjeshtë por deri edhe në pozicionin e drejtorëve. Të gjithë qytetarët të cilët plotësojnë kriteret për tu punësuar në administratën publike, kanë mundësinë pas hapjes së thirrjeve të reja nga qeveria. Nga Agjencia e punësimit e deri tek ministritë e sipërmarrjes bujqësisë shëndetësisë por dhe ajo e brendshme zbritën në terren me stafin rekrutues për të shpallur vendet vakante.

Në javën e dedikuar Administratës Publike, ministrja Adea Pirdeni bëri të ditur se një plan motivimi pritet të publikohet për të rritur efikasitetin në administratë.

“Duam të jemi të pranishëm me të gjithë ju ku ndodheni. Kemi sjellë në shesh administratën për të krijuar potencial për bashkëveprim me të gjithë të rinjtë që duan të na bashkohen. Në këtë javë të dedikuar vijmë me një sërë aktivitetesh. Plani I motivimit të administratës është një ndër iniciativat që po ndërmarrim”, tha Adea Pirdeni, Ministre e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin.

Janë rreth 1183 pozicione pune që do të vihen në dispozicion gjatë gjithë vitit prej të cilave 530 janë shpallur tashmë.

“Departamenti merr në shqyrtim nga 15 mijë deri në 20 mijë. Aplikantë unik shkojnë deri te 6 ose 7 mijë. Më vështirë për të punësuar nga fakulteti gjeologji minierave. Ndërsa më shumë të interesuarat shkencat sociale, juridiku ekonomiku”, tha Enkela Dudushi, Drejtoresha e DAP.

Mirëpo, për të gjithë ata punonjës që do të kenë mundësinë të pranohen si fillim do ti nënshtrohen trajnimeve.

“Është programi i detyrueshëm që është për nëpunësit në periudhë prove. Si ata në programe të detyrueshme por dhe ata që ndjekin programe për zhvillim profesionale. Janë trajnime në klasë, online, webinare e workshope”, deklaroi Dafina Dodoveci, shkolla për Administratën Publike.

Të dhënat nga Departamenti i administratës Publike tregojnë se nga gati 1 mijë e 100 pozicione të shpallura në 2023, u zunë vetëm 838 prej tyre.

Në total, me gjithë bashkitë, administrata publike shqiptare përbëhet nga mbi 184 mijë punonjës. Këtë vit, shpenzimet për të paguar rrogat e tyre janë planifikuar në masën 119.7 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos