"Arbitrazhi na dha të drejtë" MIE: Kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës do të anulohet

Nga Marjo Brakaj
17 Shtator 2026, 17:38 | Ekonomi

"Arbitrazhi na dha të drejtë" MIE: Kontrata koncesionare

Kontrata koncesionare për aeroportin e Vlorës do të anulohet. Duke e interpretuar urdhrin e arbitrit të emergjencës të Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë në Londër si “dritë jeshile” për zgjidhjen e kontratës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë njofton vijimin e procedurës për “shtetëzimin e aeroportit të Vlorës”

“Arbitri i Emergjencës rrëzoi tërësisht dy nga tri kërkesat e VIA-s dhe nuk pranoi kërkesën kryesore të VIA-s, përkatësisht pezullimin e zgjidhjes së Kontratës së Koncesionit. E vetmja masë e urdhëruar ishte ruajtja e kufizuar dhe e përkohshme e status quo-së, derisa të konstituohet tribunali i arbitrazhit dhe të jetë në gjendje ta shqyrtojë çështjen”, thuhet në deklaratëne  Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Procedura për anulimin e kontratës koncesionare u iniciua dhe argumentua nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me kushtet e kontratës... saktësisht me pikën 15.4 shkronja D e, në seksionin për zgjidhjen e parakohshme

“Arbitri rrëzoi gjithashtu kërkesat e VIA-s për të detyruar MIE të marrë pjesë në ndërmjetësim dhe të caktojë një ndërmjetës, si dhe për të shtyrë fillimin e arbitrazhit për dy muaj të tjerë. Rrëzimi i këtyre kërkesave konfirmon se mosmarrëveshja, në të cilën MIE do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri qëndrimin e saj, tani mund të kalojë menjëherë te tribunali i arbitrazhit”, deklaron MIE.

Përfundimi i punimeve në Aeroportin e Vlorës ishte parashikuar për shkurt 2026, me një shtyrje kontraktuale prej 90 ditësh. Edhe pas këtij afati, punimet nuk përfunduan për shkak të mosmarrëveshjeve mes kompanive koncesionare “MABCO” të Behgjet Pacollit dhe “2A Group” të Valon Ademit.

“Vendimi i mundëson MIE të përgatisë hapat e mëtejshëm që rrjedhin nga zgjidhja e Kontratës së Koncesionit, të cilët janë të nevojshëm për të mbrojtur interesin publik, duke respektuar plotësisht masën e kufizuar dhe afatshkurtër të urdhëruar në pritje të konstituimit të tribunalit të arbitrazhit dhe të vendimmarrjes së tij për këtë çështje”, thuhet në njoftimin e MIE.

Biznesmeni Behgjet Pacolli i bëri më herët qeverisë një apel publik të zbatojë urdhërin e arbitrit të emergjencës që sipas tij i kërkon Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të mos ndërmarrë veprime që lidhen me ndërprerjen e koncesionit, deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së kompanisë Mabco. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos