Fasoni, rënie e pandalshme, eksportet “ngritën kokë” për të gjashtin muaj dhe në gusht

Nga Marjo Brakaj
17 Shtator 2026, 15:40 | Ekonomi

Pas nisjes në tatëpjetë, eksportet vijuan të “ngrinin kokë” edhe në gusht për të gjashtin muaj me radhë. Gjatë muajit të shkuar kompanitë vendase çuan në tregjet e huaja 20.5 miliardë lekë mallra. Në raport me të njëjtin muaj të një viti më parë, eksportet janë zgjeruar me 1.6 për qind.

Fasoni, rënie e pandalshme, eksportet “ngritën kokë”

“Duket sikur situata ka kaluar, por nuk është kështu. Ne jemi në qendër të ciklonit. Madje nëse kjo situatë vijon ne do të kemi një dëm të pariparueshëm të ekonomisë”, u shpreh Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Nxjerrja e më shumë mineraleve e karburanteve nga nëntoka, bashkë me shtimin e eksporteve të energjisë si pasojë e reshjeve patën ndikimin kryeson në gjallërimin e tregtisë së jashtme. Ndikim pozitiv dhanë edhe prodhimet e stinës të cilat shkuan për eksport.

E kundërta ndodhi me sektorin e manifakturës që regjistroi një tjetër rënie me 2.8 për qind. Kjo si pasojë e euros që vijon tatëpjetën.

Fasoni, rënie e pandalshme, eksportet “ngritën kokë”

“Situata është dramatike. Problemi nuk është vetëm niveli i eksporteve, por fakti që kompanitë po përballen me një kombinim faktorësh që po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë konkurrimin. Kostot e prodhimit mbeten të larta, ndërsa zhvlerësimi i euros godet drejtpërdrejt të ardhurat e industrisë që punon kryesisht për tregjet e huaja. Në këto kushte, kompanitë e manifakturës po humbasin hapësirë për të investuar, për të rritur pagat dhe për të ruajtur volumin e aktivitetit”, deklaroi Florjan Zekja, Shoqata “Manifaktura Shqiptare”.

“Kjo tregon se sektorët tradicionalë vijojnë të jenë nën presion, kryesisht për shkak të dobësimit të kërkesës në tregjet europiane dhe rritjes së kostove për bizneset vendase”, u shpreh Zef Preçi, ekspert për ekonominë.

Muajin e shkuar Shqipëria eksportoi më shumë produkte drejt Kosovës dhe Italisë. E kundërta ndodhi me Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Fasoni, rënie e pandalshme, eksportet “ngritën kokë”

“Asnjë nga masat e marra nga qeveria nuk ka prodhuar rezultat. Biznesi ka nevojë për politika që të adresojnë problemet konkrete të sektorit dhe jo masa që mbeten vetëm në letër. Nëse nuk krijohen kushte për të ulur kostot dhe për të rritur produktivitetin, presioni mbi industrinë do të vazhdojë dhe kompanitë do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të qëndrojnë konkurruese në tregjet ndërkombëtare”, tha Florjan Zekja, Shoqata “Manifaktura Shqiptare.

Lehtë u gjallëruan edhe importet gjatë muajit të shkuar vlera e të cilave arriti në 75.6 miliardë lekë nga 67 miliardë gushtin e një viti më parë. Megjithatë ky nuk mund të konsiderohet si një lajm i mirë në kushtet që eksportet ende janë në krizë. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos