Nga e-albania te kredia, “Dyfisho sipërmarrjen tënde” kalon online

Nga Marjo Brakaj
17 Shtator 2026, 15:54 | Ekonomi

Aplikimet në kuadër të programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde” mund të kryhen tashmë përmes platformës së dedikuar “online”.Bizneset e vogla dhe të mesme mund të shprehin interesin dhe të ndjekin online procesin përmes e-Albania.

“Përmes portalit e-Albania, çdo biznes i interesuar mund të kërkojë shërbimin “Shprehje interesi për ‘Dyfisho Sipërmarrjen Tënde’” dhe të nisë procesin online. Në fazën fillestare, biznesi plotëson të dhënat e kërkuara, përfshirë NIPT-in dhe konceptin ose idenë e investimit që synon të realizojë”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Banka e Shqipërisë u jep bankave tregtare, 250 milionë euro, në mënyrë që ato të japin kredi me norma të ulwta dhe një garanci sovrane 30 milionë euro do të jetë në dispozicion të bujqësisë dhe bizneseve të vogla e të mesme.

“Më shumë se 1700 biznese kanë shprehur interes, ndërsa 720 prej tyre janë aktualisht në proces trajtimi nga ekipi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Sipas të dhënave të mbledhura nga bizneset, kërkesa lidhet kryesisht me zgjerimin dhe modernizimin e aktivitetit. 57% e bizneseve që kanë shprehur interes synojnë të zgjerojnë aktivitetin, ndërsa 21% planifikojnë të investojnë në makineri dhe pajisje”, u shpreh Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Shteti do të garantojë kolateral nga 30-70% për kreditë së butë që do të marrin sipërmarrjet pranë bankave, ndaj kryeministri Edi Rama kërkon nga bankat më shumë guxim për të financuar këto sektorë të ekonomisë.

“Programi “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde” synon të përmirësojë aksesin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në financim, përmes garancisë sovrane të shtetit për kredi deri në 2 milionë euro, me afat maturimi deri në 10 vjet.Platforma e re e vendos këtë mbështetje në një proces të integruar online, duke i dhënë biznesit mundësinë të aplikojë, të ndjekë ecurinë e kërkesës së tij dhe të marrë asistencën e nevojshme përgjatë procesit”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Përmes këtij programi sipërmarrjet e sektorit të bujqësisë, agropërpunimit, agroturizmat, apo edhe nga sektorë të tjerë të ekonomisë, do të mund të aplikojnë për të marrë kredi pranë bankave, me shtetin garant dhe me norma të buta interesi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos