Bie ritmi tek pagat, në 6 muaj u rritën me 90 lekë, privati nuk po ndjek shtetin

Nga Marinela Lina
11 Shtator 2024, 16:42 | Ekonomi

Ritmi i rritjes së pagave në vendin tonë ra në gjysmën e parë të vitit. Paga mesatare pothuajse qëndroi në vend duke u rritur me vetëm 89 lekë deri në qershor, krahasuar me fundin e vitit të kaluar.

Çka do të thotë se nëse në dhjetor 2023, një i punësuar paguhej me 75 mijë e 25 lekë, në qershor paga e tij u rrit me 0.1% duke arritur në 75 mijë e 114 lekë.

“E rëndësishme është që të kemi çdo vit indeksim pagash dhe jo ndalesa ndër vite dhe të rritne në një periudhë të caktuar duke u nënkuptuar se po bëhet për përfitime politike dhe jo ekonomike”, tha ekspertja Romina Radonshiq.

Ndonëse synimi i qeverisë është arritja e pagës mesatare në shkallë vendi në 900 euro, në sektorin shtetëror ky tregues arriti në 85 mijë e 901 lekë në fund të qershorit. Ndërsa pabarazia në paga shtet-privat përllogaritet në 15 mijë lekë.

“Vet kryeministri ndoqi një politikë ku mblodhi sipërmarrësit dhe bëri thirrje që faktor kyç për ndalimin e emigracionit dhe të kemi punonjës në Shqipëri ne duhet të rrisim pagat. Dhe kjo ka ndodhur në disa sektor ku në shumë sektor paguhen edhe më shumë se të kualifikuarit.”

Por kush paguhet më shumë e kush më pak?

Është sektori i aktiviteteve financiare dhe të sigurimit me pagën më të lartë rreth 166 mijë lekë, ndjekur nga informacioni dhe komunikacioni me 123 mijë lekë, administrata 85 mijë lekë. Por bujqësia dhe industria vijon të keq paguhet duke qëndruar pak më lartë se paga minimale në vend. Sipas profesioneve ligjvënësit dhe nëpunësit e lartë të administratës shtetërore paguhen më shumë.

“Duke qenë se sektor prioritar kemi turizmin dhe bujqësinë duhet të kishim dhe paga më të larta. Por nuk ndodh kështu. Kemi paga të ulëta, nivel të ulët të subvencioneve dhe ndalesë të fondeve të IPARD, ka bërë që fermerët jo vetëm mos të kenë mundësi të punojnë por dhe mos të rrisin pagat te punonjësit e tyre” , shton Radonshiq.

Për  të nxitur punësimin në vend qeveria ndërmori dhe një reformë me rritjen e pagave në shtet dhe nxitjen e privatit që në maj 2023. Teksa faza e dytë u aplikua në korrik 2024. Por ende boshllëku i krijuar nuk është plotësuar duke bërë që Shqipëria të kthejë sytë nga të huajt, teksa shqiptarët largohen drejt vendeve të tjera për paga më të mira. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos