Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, thotë se Departamenti i Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara ka faktuar se Kryeministri Edi Rama është takuar dy herë në Shqipëri me Charles McGonigal, ish-agjentin e FBI, të arrestuar nga drejtësia amerikane. “Ka kryer një veprimtari të përbashkët kriminale me Edi Ramën, së pari në pagesat që ka marrë në luftën kundër opozitës shqiptare. Së dyti, në ndërhyrjet për ndryshimin e licencave të naftës kundrejt shumave të tmerrshme marramendëse. Së treti, në angazhimin e institucioneve amerikane për hetime private për llogari të Edi Ramës dhe Tom Doshit në Vjenë”, tha Berisha në një konferencë për mediat, përcjell A2 CNN.
“Pra, një veprimtari për të gjithë ata të cilët duan të paraqesin se kreu shqiptar i organizatës kriminale Ramaduro-Mcgonigal nuk ka shkelur ligjet amerikane, u them se vetëm sa diskreditoni veten. Të korruptosh një punonjës, një zyrtar të lartë të SHBA, që ka për detyrë të mbrojë qytetarët amerikanë nga korrupsioni, kryen një krim të rëndë në ligjin amerikan, ligjin shqiptar dhe ligjin e çdo vendi. Të heqësh licencën një kompanie dhe t’ia japësh një kompanie tjetër me kërkesë të McGonigal, duke marrë Shqipëria një gjobë dhjetëra milionë dollarë nga kompania e përparshme, ke krye një krim të shëmtuar në ligjin shqiptar dhe ligjin amerikan. Pra, të përdorësh FBI-së kundër Opozitës për hetime ndaj opozitës, ndërkohë që ai nuk është misioni i saj, por për qëllime private, ke kryer një krim të rëndë antikushtetues. Ke përdorur forcën e institucionit hetues më të fuqishëm në botë kundër pluralizmit politik në Shqipëri”, shtoi Berisha.
Ai akuzoi drejtuesin e SPAK, Altin Dumani, se po fsheh padinë e bërë nga opozita. “McGonigal nuk është aspak më shumë fajtor se sa Ramaduro i Tiranës, i cili mbrohet me fanatizëm nga Altin Troplini. Dosjen e McGonigal opozita e ka dorëzuar me kohë në Skrapin e partisë. Por në pafytyrësi dhe në bashkëfajësinë e tyre, Altin Troplini e ka mbajtur atë në sirtar. Në një kohë kur mjafton të kërkosh zyrtarisht dosjen e gjykatës së SHBA dhe gjithçka e ke të provuar dhe faktuar mbi aktivitetin kriminal të Edi Ramës. Por ai, si skllav, si mercenar i pakarakter, i inkriminuar gjer në palcë, njëlloj siç fsheh mandatin e arrestit për Pojën e Troplinëve, fsheh padinë e opozitës për krimet e shëmtuara të Edi Ramës. Cilido që lexon këtë dosje del se Dorian Duçka ishte aq intim me McGonigalin, sikur të ishin burrë dhe grua. Por nuk kemi të bëjmë me rastin e gruas së Bilalit, por ishte një agjent i shpërfytyruar që çonte të gjitha bisedat te kompania që e paguante 50 mijë këshilltarin privat të shkëlqyer të Edi Ramës”, tha Berisha. “Hetimi i McGonigal është një kusht i të gjitha kushteve. Asgjë nuk mund ta mbrojë Edi Ramën më nga bashkëautorësia në krimet e McGonigal”. (A2 Televizion)