Shkodra ka përjetuar sërish ngjarje kriminale që lidhen me ekzekutime mafioze të mirëorganizuara. Kësaj radhe viktima është qëlluar në qendër të qytetit, pranë kinemasë “Republika”.
I ndjeri është identifikuar si Kristian Kola, 34 vjeç, i cili është qëlluar nga dy persona me maska, të cilët kanë përdorur armë pistoletë me silenciator. Pas ekzekutimit, autorët janë larguar pa lënë gjurmë me një motor të zi.
Policia e Shkodrës bëri me dije se, megjithëse ngriti menjëherë postblloqe në gjithë perimetrin e qytetit, deri më tani nuk ka mundur të identifikojë autorët.
Ngjarja ka tronditur qytetin, pasi ka ndodhur në një zonë me qarkullim të dendur njerëzish dhe mjetesh. Viktima Kola nuk njihej si person problematik apo me ndonjë precedent penal të mëparshëm. Megjithatë, mënyra e organizimit të vrasjes dyshohet të ketë qenë e sofistikuar dhe e realizuar nga persona profesionistë, ndoshta me pagesë, shkruan A2 CNN.
Autorët kanë ndjekur shënjestrën e tyre dhe e kanë qëlluar në momentin e parë kur ai ka mbetur vetëm, pasi po pinte kafe bashkë me dy persona të tjerë. Gjithashtu, ata nuk kanë nguruar ta ekzekutojnë në një zonë publike, me mbulim të gjerë kamerash sigurie dhe dëshmitarësh. Pavarësisht kësaj, kanë arritur të largohen pa u kapur.
Policia, përmes kamerave të sigurisë, po përpiqet të ndjekë itinerarin e dy personave me motor, për të përcaktuar fillimisht drejtimin nga janë larguar dhe më pas identifikimin e tyre.
Zbardhja e kësaj ngjarjeje duket e vështirë, pasi për momentin nuk ka asnjë të dhënë që viktima Kristian Kola të kishte shfaqur ndonjë problem apo të ishte i kërcënuar nga dikush. Megjithatë, pyetjet e familjarëve dhe shokëve, të ndërthurura me provat e mbledhura nga policia dhe pamjet filmike, lënë shpresë se kjo ngjarje e rëndë do të zbardhet. (A2 Televizion)