Një shtetas i huaj, i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të komunës Frakull të Fierit, ka rënë në prangat e Policisë në Kolumbi.
Lajmin e bëri të ditur Policia përmes një njoftimi, ku thuhet se arrestimi i tij erdhi si rezultat i koordinimit të veprimeve me zyrat kombëtare të Interpolit në Ekuador dhe Kolumbi, shkruan A2 CNN.
I arrestuar është shtetasi Samir Rosales Rodríguez, i njohur si “Kimisti”, ndërkohë që vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Njoftimi i Policisë:
Gjithashtu, po falë informacionit të siguruar nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe i shkëmbimit të informacionit me Policinë kolumbiane, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe koordinimit të veprimeve me zyrat kombëtare të Interpolit në Ekuador dhe Kolumbi, u bë i mundur arrestimi në Kolumbi i shtetasit kolumbian S. R., i dyshuar si pjesë e grupit që transportonte dhe përpunonte kokainë në banesën e ish-kreut të komunës në Frakull të Fierit, V. Ç..
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Shqipërisë. (A2 Televizion)