Zhvillimi i bujqësisë së qëndrueshme ishte në fokus të bisedës së ministrit të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë takimit me misionin e Bankës Botërore, të kryesuar nga Z. Massimiliano Paolucci, Menaxher i Zyrës së Grupit të Bankës Botërore në Shqipëri.
Gjatë takimit u diskutua ecuria e bashkëpunimit aktual dhe u ndanë vizionet për thellimin e mbështetjes ndaj sektorit bujqësor shqiptar.
Në fokus të bisedës ishte projekti CRAD- “Qëndrueshmëria Klimatike dhe Zhvillimi i Bujqësisë” në Shqipëri, i cili po jep një shtysë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit dhe integrimin e teknologjive moderne.
Ky projekt synon përmirësimin e zinxhirit ushqimor nga ferma në tavolinë, rritjen e vlerës së produkteve bujqësore, forcimin e sigurisë ushqimore dhe garantimin e sistemeve moderne të vaditjes dhe kullimit.
Palët diskutuan orientimet dhe masat që duhen ndërmarrë për avancimin e projektit, me qëllim arritjen e rezultateve konkrete dhe të qëndrueshme, në përputhje me vizionin strategjik të Ministrisë “Bujqësia 2030”, ku fermeri mbetet në qendër të politikave për zhvillimin rural të qëndrueshëm. (A2 Televizion)