Prestigj, por edhe kosto! Gati 32 milionë lekë për forumin e investimeve që zhvillohet në Tiranë

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 15:24 | Ekonomi

Prestigj, por edhe kosto! Gati 32 milionë lekë për forumin e

Kryeministra, presidentë dhe zyrtarët më të lartë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe shteteve të Rajonit do të mblidhen më 13 dhe 14 tetor në Tiranë për Forumin e parë të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor. Por veç prestigjit, vendi do të ketë edhe kosto. Për pritjen e përfaqësuesve, anëtarëve të stafit, përkthyesve, vëzhguesve dhe shoqëruesve të liderëve evropianë do të shpenzohen gati 32 milionë lekë.

Zhvillimi i Forumit përbën një moment strategjik në integrimin ekonomik të rajonit me Bashkimin Evropian. Ai ofron mundësi për të tërhequr investimet e huaja direkte, për të nxitur inovacionin dhe për të përshpejtuar integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur në këtë mënyrë zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në rajon.

Më herët, në maj Shqipëria mikpriti Samitin e Komunitetit Politik Europian. Një ngjarje e rëndësishme kjo që bashkoi udhëheqësit nga Londra në Kiev, nga Oslo në Ankara, për të diskutuar çështje kyçe për të ardhmen e Evropës. Kosto për Buxhetin e Shtetit ishte 2.4 milionë euro.

Me përmasa më të mëdha në kontekstin gjeopolitik, dy vite më parë Shqipëria mikpriti Samitin e Procesit të Berlinit. Organizmi i kushtoi vendit 112 milionë lekë apo rreth 1.1 milionë euro.

Paratë shkuan për ndërtimin e strukturave akomoduese dhe konstruksioneve të përkohshme, të cilat shërbyen për pritjen dhe zhvillimin e punimeve të nivelit të lartë të këtij samiti, morën pjesë liderë nga vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe të vendeve partnere.

Në qershor të vitit 2023, Shqipëria mikë-priti konferencën e 51-të Rajonale Evropiane të Interpol, e cila pati një kosto prej 198 mijë eurosh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos