Qytetarët shqiptarë mendojnë se ekonomia nuk po shkon mirë. Ata janë veçanërisht të shqetësuar nga rritja e çmimeve këtë fillim-dimër. “Po janë 20-30 apo edhe 50 lekë më shtrenjtë. Zarzavatet një herë janë shtrenjtuar shumë. Që nga domatet, specat. Edhe bulmeti duket se po rritet”, thotë një qytetar për A2 CNN.
Në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i besimit konsumator vijoi për të tetin muaj të shfaqte pasiguri. Ndonëse u rrit me 0.8 pikë, shqiptarët janë tërhequr nga blerjet, veçanërisht nga ato në shumë të mëdha.

“Kjo lidhet me faktin se konsumatori nuk ka garanci. Asgjë nuk është e sigurt. Çmimet mund të ndryshojnë krejt papritur”, thotë për A2 CNN Shpëtim Agolli, ekspert për ekonominë. “Çmimet rriten, çdo gjë bëhet e papërballueshme. Të ardhurat tkurren se harxhojmë më shumë. rrogat janë në vendnumëro”, thotë Eriola Hoxha, gjithashtu eksperte.
Pavarësisht shifrave rekord të turistëve edhe jashtë sezonit veror, besimi i bizneseve në fushën e shërbimeve ku përfshihen supermarketeve, baret e restorantet ra me 5.7 pikë. Kjo pasi sipërmarrjet në këtë sektor i frikësohen rënies së kërkesës për konsum , shoqëruar nga vështirësitë në gjetjen e punonjësve. Edhe bizneset në sektorin e tregtisë u shfaqën më pesimiste. Treguesi i besimit në ekonomi nga sipërmarrjet në këtë sektor ra me 2.3 pikë. Rënia e kërkesave për eksport nga njëra anë dhe rritja e çmimeve të lëndëve të para uli me 3.1 pikë edhe besimin e bizneseve në sektorin e industrisë.

“Kjo ka lidhje më shumë me pritshmëritë e atyre tregtarëve të cilët prisnin të kishin një volum më të lartë dhe sidomos me atë që u pompua opinioni se do të kishim një konsum të shtuar si pasojë e turizmit”, thotë Agolli. “Te ndërtimi po jep efekt kursi i këmbimit. Rritjet dhe zhvlerësimi brenda pak kohësh i euros po çorodit shitjet”, thotë Hoxha.
Pesimizmi në thuajse të gjithë sektorët, bëri që në pyetësorin e përmuajshëm që Banka e Shqipërisë bën, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar, të rritej binte me 2.6 pikë.
(A2 Televizion)