Nis shpërndarja e bonusit të fundvitit. Përfitojnë mbi 762 mijë pensionistë, mund të tërhiqet deri në 30 qershor

Nga Marjo Brakaj
1 Dhjetor 2025, 14:04 | Ekonomi

Nga dita e sotme, 1 dhjetor 2025, pensionistët do të mund të tërheqin bonusin e fundvitit. Edhe pse është ditë pushimi zyrtar, zyrat e postës do të jenë të hapura. Bonusi i fundvitit mund të tërhiqet gjatë gjithë muajit dhjetor, ndërsa për ata që e kanë të pamundur gjatë kësaj periudhe, afati për tërheqje është deri më 30 qershor 2026.

“Ç’është e vërteta, për ne pensionistët është një ndihmesë. Pavarësisht se po ta shtrish në harkun kohor të vitit nuk është gjë fare. Duket si një kursim. Pensionistët kanë më shumë nevoja ndoshta edhe se të rinjtë. Hanë më shumë, kanë edhe ilaçe”, thotë një pensionist për A2CNN.

Bonusin prej 15 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 540 mijë persona. Të moshuarit që marrin deri në 20 mijë lekë pension, pensionet e invaliditetit, përfituesit e pagesës mujore familjare dhe sociale, si dhe disa kategori të tjera si ata që gëzojnë vjetërsi shërbimi apo statusin e “profesionit të vështirë”. Ndërsa bonusin prej 10 mijë lekësh do ta përfitojnë mbi 221 mijë individë, si personat që marrin pension mbi 20 mijë lekë, ata që marrin pension të parakohshëm, apo përfituesit e trajtimeve financiare të veçanta.

“I mora paret! Mbaroi. Mora 10 mijë lekë se e kam pensionin e madh. Dalin, si nuk dalin gjithë këto para”, shprehet një tjetër pensionist me ironi.

Ka edhe nga ata që megjithëse nxituan të tërhiqnin bonusin, u larguan duarbosh nga pika e postës: “Nuk tërhoqëm sot. Sot nuk kishte lekë. Këta sot e kanë hapur për të respektuar atë që u tha në televizion. Po lekë nuk ka”.

Nga viti i ardhshëm, bonusi i fundvitit nuk do të jetë më i buxhetuar. Në vend të tij qeveria do të aplikojë rritjen mujore të pensioneve: “Më mirë rritja mujore. E kemi më mirë për t’i menaxhuar shpenzimet”.

Sipas burimeve të ACNN, buxheti i shtetit pritet të ndryshojë sërish këtë muaj. Me këtë akt, qeveria pritet të vendosë nëse do të marrin bonus fundviti edhe familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar, të cilat deri tani nuk janë të përfshira te shpërblimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos