“Superleku” vijon triumfin, valutat e mbyllin vjeshtën edhe më të dobëta. Euro në pikiatë

Nga Marjo Brakaj
2 Dhjetor 2025, 12:29 | Ekonomi

Euro vijoi tatëpjetën edhe në vjeshtë. Valuta europiane e mbylli muajin e shkuar në nivelin e 96.68 lekëve. Ky është niveli i ulët jo vetëm për këtë vit, po që nga viti 2008 kur euro hyri në Shqipëri.

Dritan Vakaj, kreu i Shoqatës së Këmbimit Valutor, shprehet për A2CNN: “Deri diku kjo do të ishte e pritshme. Për aq kohë sa ne po përdorim më shumë euron se lekun, sigurisht që do të vinte një ditë që do të ndodhte “vdekja e saj”.

Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se që nga fillimi i vitit, euro ka humbur plot 1.54 pikë. Ndërkohë, krahasuar me një vit më parë, valuta europiane është tkurrur me 1.67 pikë. Kjo edhe si pasojë e turistëve që ende vijojnë të vijnë në Shqipëri.

“Rritja e remitancave nga emigrantët, hyrjet masive të turistëve të huaj që sjellin valutë, investimet e huaja që përllogariten në euro, si dhe mungesa e kërkesës për të blerë valutë për importe – të gjitha kanë ndikuar në këtë zhvlerësim të qëndrueshëm të euros. E gjithë kjo ndodh ndërsa Banka e Shqipërisë ndërhyn në treg për të blerë valutë dhe për të shmangur një rënie edhe më dramatike”, tha Vakaj.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se deri në tetor u këmbyen plotë 11.3 miliardë euro, shifër kjo 2 deri në tre herë më e lartë se në vitet 2019, 2020 apo 2021.

“Efektet negative janë në horizont. Deri tani është duket se kemi përfituar nga inflacioni i importuar. Vazhdoj t’i qëndroj mendimit se “zhvlerësimi i euros do të kthehet shpejt në fatkeqësi”, u shpreh Vakaj.

Euro po rrudhet shpejt, përballet me një realitet të ri shqiptar, ku fuqia vendase e parasë po fiton besim dhe pavarësi. Por mbetet për t’u parë nëse ky është një fund i përkohshëm, një kapitull i ri i lekut, apo thjesht një episod në ciklin e luhatjeve monetare që i karakterizon tregjet në tranzicion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos