Ditë të vështira në horizont, KE parashikon ngadalësim të ekonomisë shqiptare

Nga Marjo Brakaj
21 Janar 2026, 17:33 | Ekonomi

Ekonomia e Shqipërisë do të rritet më ngadalë në dy vitet e ardhshme. Nga rreth 4 për qind në 2024- e 2025-n, Prodhimi i Brendshëm Bruto pritet të zgjerohet me 3.5 këtë vit dhe në 2027-n.

Megjithatë në raport me vendet e tjera të Rajonit, Shqipëria renditet e dyta pas Kosovës me parashikimin për rritjen më të lartë ekonomike për këtë vit, shkruan A2.

“Aktiviteti ekonomik ruajti një rritje të qëndrueshme në tremujorin e tretë të vitit 2025, me PBB reale që u rrit me 3.7 për qind në terma vjetorë  por me një ritëm më të moderuar krahasuar me 2024. Konsumi u ngadalësua ndjeshëm në 1.3 për qind nga 4 për qind në 2024”, thotë KE.

Në raportin e fundit tremujor për vendet kandidate, Komisioni Europian parashikon zhvillime pozitive për Shqipërinë në drejtim të inflacionit. Treguesi pritet të mbesë në nivelin 3 për qind edhe këtë vit. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia dhe Kosova pritet të kenë shkallën më të lartë të inflacionit, respektivisht 4.1 dhe 3.9 për qind: “Inflacioni vjetor i çmimeve të konsumit u rrit në 2.3% në dhjetor 2025, afër nivelit të një viti më parë. Forcimi i lekut ndaj euros vijoi. Ky trend vazhdoi pavarësisht blerjeve të shtuara të valutës nga Banka e Shqipërisë, e cila intensifikoi ndërhyrjet në tremujorin e tretë 2025 për të rritur rezervat dhe për të frenuar presionet e mbiçmimit, duke blerë një rekord prej 630.8 milionë euro gjatë tremujorit”.

Raporti nxjerr në pah ndërkohë ecurinë pozitive të punësimit në vend: “Kushtet e tregut të punës vijuan të përmirësohen në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas Anketës së Forcave të Punës, norma e punësimit, grupmosha 15–64 vjeç u rrit me 0.4 pikë përqindje në baza vjetore, duke arritur në 69.6%. Kjo rritje u mbështet nga një rritje më e fortë e pjesëmarrjes së grave, e cila u rrit me 0.7 pikë përqindje në baza vjetore”.

Raporti vëren se, ndonëse inflacioni ka vijuar të zbutet në shumicën e vendeve të Rajonit, punësimi ka shfaqur shenja ngadalësimi, ndërsa rritja e importeve ka tejkaluar atë të eksporteve, duke ushtruar presion mbi bilancet tregtare (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos