“Do reagojmë më vonë”. Inflacioni surprizoi Bankën e Shqipërisë, por norma e interesit s'do ulet

Nga Mario Brakaj
20 Mars 2024, 23:28 | Ekonomi

Kriza e çmimeve po zbutet me ritme më të shpejta se edhe në pritshmëritë më optimiste të Bankës së Shqipërisë, por është ende herët që norma bazë e interesit për lekun të ulet. 

Gent Sejko, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, u shpreh: “Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin e 3,25 për qind”.

Madje, Guverantori Sejko paralajmëroi se në Shqipëri zbutja e politikës monetare do të ndodhë më vonë se në vendet europiane apo Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk e kemi rritur normën e interesit në ato nivele siç e ka rritur Banka Qendrore Europiane, Rezerva Federale Amerikane apo Banka e Anglisë. Ne mendojmë se norma aktuale e interesit është ende stimuluese për ekonominë”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë vlerëson se kjo normë interesi do t’i bëjë mirë buxhetit të shtetit, arkës së bizneseve dhe xhepave të qytetarëve: “Rritja ekonomike do të vazhdojë të gjejë mbështetje në shëndetin financiar të sektorit privat, në dinamikat pozitive të tregut të punës, si dhe në një ambient të qëndrueshëm financiar. Ajo do të nxitet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve dhe e turizmit”.

Për herë të fundit, norma bazë e interesit për lekun u rrit në 1 nëntor 2023 me 0,25 pikë përqindje. Në mbledhjet e mëpasshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore e ka mbajtur të pandryshuar atë. Rënia e inflacionit në nivelin 2,6% muajin e shkuar zgjoi optimizmin për lehtësimin edhe të politikës monetare duke ulur kështu këstet e kredive të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos