Sfidat personale mund të kthehen në histori suksesi kur mbështeten nga inovacioni dhe partneriteti. Sipërmarrës shqiptarë po investojnë në teknologji dhe standarde evropiane. Transformimi i bizneseve po i bën ato më konkurruese dhe po i afron me tregun e Bashkimit Evropian.
“Koncepti për “Panja” lindi si të thuash... “falë” sëmundjes time”. “Jo çdo e keqe është vetëm për keq”… kjo shprehje merr kuptim më shumë se kurrë në rastin e Marselës. Sfidat që i diktoi sëmundja ajo i ktheu në mundësi.”
“Unë kam qenë e sëmurë me sklerozë multiple dhe falë një regjimi pa gluten pa laktozë kam arritur të shërohem. Nga mungesa në tregun shqiptar e një produkti të tillë menduam të konceptonim një produkt artizanal dhe organik”, u shpreh Marsela Gurra, sipërmarrëse
Shumë gjëra të vogla janë bërë të mëdha falë mbështetjes. Të njëjtën po e bën edhe Suedia, që nga janari i vitit 2023 e deri muajin e shkuar ka kontriubuar me 1 milionë euro në programin EU4inovation i cili ka një buxhet total prej 11 milionë e 750 euro duke ndihmuar Marselën dhe sipërmarrës të tjerë shqiptarë.
"Falë partnerëve europianë mundëm që shumë procese ti lehtësonim falë pajisjeve të ndryshme të ulnim procesin dhe kohën e punës duke krijuar një produkt me standard europiane”, tha Marsela Gurra, sipërmarrëse.
Shqipëria është në miljet e fundit në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Para se të trokasë në dyert e “unionit”, vendi duhet të jetë gati. Për një “po” në vend të një “jo”-je, Shqipëria duhet fillimisht të integrohet ekonomikisht dhe e vetmja rrugë për bizneset është transformimi digjital. Këtë e ka kuptuar mjaft mirë edhe Nikolini.
“Unë me profesion jam ekonomist por gjithë jetën jam marrë me teknologjinë dhe pandemia më bëri që të rikonsideroj profesionin tim dhe jetën time duke parë sa fragile ishin sistemet e ushqimit. Kështu që vendosa të prodhojë bukën. Nëpërmjet pajisjeve që plotësojnë të gjitha kushtet dhe kanë teknologji europaine më është lehtësuar puna dhe bëhemi dhe më konkurues në treg duke përqafuar metoda të tilla”, u shpreh Nikolin Kola, sipërmarrës.
Ervini është një tjetër sipërmarrës nga Kopliku i mbështetur i cili me përfshirjen e inovacionit nëpërmjet teknologjive tek bimët medicinale ka rritur efikasitetin e tharjes dhe ulur kostot.
“Kemi kaluar teste cilësie dhe sigurie të sherebelës kryesisht dhe vajrave esencial. Dhe kemi kontrata të vazhdueshme na njohin si fermerë dhe vijnë interesohen. Kjo është një mundësi shumë e mirë për ne”, tha sipërmarrësi Ervin Ceraj.
Falë edhe mbështetjes nga partnerët europianë, numri i ndërmarrjeve në vend po rritet duke kapur shifrën e gati 138 mijë vitin e shkuar.
Pjesa më e madhe e tyre janë të përqendruara në Tiranë, ndjekur nga Durrës, Vlora, Fieri, Elbasani dhe Shkodra. (A2 Televizion)