“Kush kontrollon naftën, kontrollon kombet”. Kjo thënie e ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger në vitet ‘70 mbetet po aq e aktuale dhe sot.
“Ari i zi” ka qenë në qendër të gjeopolitikës dhe konflikteve për më shumë se një shekull. Realiteti pak ka ndryshuar edhe sot, ndaj edhe Shqipëria do i bashkohet listës së shteteve që kanë “Rezervë të sigurisë”.
Enea Karakaçi, ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, u shpreh: “Me anë të këtij projektligji bëjmë një ndryshim të plotë të qasjes aktuale, ku rezerva aktuale e hidrokarbureve mbahet nga operatorët privatë. Me anë të këtij akti ligjor, mbajtja e rezervës së sigurisë së hidrokarbureve bëhet nga një subjekt shtetëror, duke i dhënë një garanci dhe siguri mbajtjes dhe përdorimit, siç e përcakton ligji”.
Rezerva e hidrokarbureve do të mundësohet nga një operator shtetëror dhe do të shërbejë në kushtet e mungesës së produktit në treg.
“Ky projektligj vendos krijimin e një Autoriteti Kombëtar për Sigurinë e Hidrokarbureve, i cili ka për detyrë ta ruajë dhe menaxhojë, duke e hedhur në treg sipas nevojës dhe siç e parashikon ligji”, tha Karakaçi.
Qeveria prej disa vitesh është përpjekur të miratojë një ligj për krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e rezervave minimale të sigurisë së naftës bruto dhe nënprodukteve të saj. Rezerva e sigurisë, sipas standardeve, përllogaritet në 90 ditë importe ose 61 ditë konsum, në varësi se cila shifër është më e lartë, dhe aktivizohet në situata të jashtëzakonshme, si mungesa e produktit ose kriza të natyrës gjeopolitike. (A2 Televizion)