Ngriva, shkriva! Qeveria pendohet, bën prapakthehu dhe rikthen bordin për karburantet

Nga Marjo Brakaj
16 Shtator 2026, 19:39 | Ekonomi

“Duke qenë se konflikti në Lindjen e Mesme duket sikur do të zgjasë, Bordi i Transparencës është mekanizëm për periudhë afatshkurtër. Edhe FMN-ja na ka këshilluar që ndërhyrje të tilla të jenë të përkohshme.”

Pesë ditë më pas, qeveria mendon ndryshe. Duke “injoruar” këshillat e Fondit Monetar Ndërkombëtar, bordi i transparencës për karburantet do të ringrihet?

“Ne do të aktivizojmë një mekanizëm për reduktimin e akcizës me qëllim që çmimi i karburanteve të reduktohet. Atëherë, mekanizmi i vetëm nëpërmjet të cilit ne mund ta aktivizojmë këtë mekanizëm, pra për reduktimin e akcizës, ishte ringritja e Bordit të Transparencës.”

Me çmimin e naftës mbi 220 lekë për litër, qeveria do të ulë akcizën me 20 për qind. Ndërkohë, qeveria do të përcaktojë për një kohë të pacaktuar edhe marzhet e fitimit të kompanive në sektorin e hidrokarbureve: 3 lekë për litër për importuesit e naftës dhe 12 lekë për litër për pikat e karburanteve.

“Do të fillojmë të monitorojmë çmimet e karburanteve në mënyrë të vazhdueshme, në zbatim të legjislacionit përkatës për marzhet e çmimeve. Deri në përfundim të nevojës sonë, do të jetë në fuqi Bordi i Transparencës.”

Me tensionet në Lindjen e Mesme që vijojnë, pas sulmeve në Arabinë Saudite, çmimet e karburanteve mund të pësojnë rritje më tej. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos