Fizik/virtual, sfidat e kompanive shqiptare me tregun

Nga Aurora Sulçe
18 Tetor 2024, 20:42 | Ekonomi

Në biznes është e njohur shprehja “Konsumatori është mbret”. E në një treg global, ku çdokush gjen gjithçka, kompanitë shqiptare duhet të rrisin standardet dhe të ofrojnë produkte cilësore dhe të sigurta, jo vetëm në dyqanet fizike, por edhe nëpërmjet shitjeve online.

Konkurrenca e ndershme është ajo që përmirëson bizneset. Pavarësisht problemeve të një tregu ende të pastabilizuar, janë të shumta kompanitë në Shqipëri që ia kanë dalë të kenë konsumatorët e tyre besnikë, të cilët shtohen, së bashku me kërkesat për më shumë produkte, më shumë shërbim e më shumë pika takimi, në dyqane fizike apo platfomat online, shkruan A2 CNN.

Biote është një prej tyre. Logo jeshile e dyshekëve është e para që u vjen ndërmend konsumatorëve që duan të blejnë këtë produkt, apo që sugjerohet në bisedat mes miqve dhe të afërmve. Me përkushtim maksimal dhe me fokus klientin, kompania ia ka dalë të jetë një ndër liderët e tregut vendas, me një vizion të qartë për t’u rritur dhe zhvilluar çdo ditë dhe për të qenë pjesë e pandarë e familjeve shqiptare.

E në këtë rrugëtim në tregun shqiptar, suksesi i Biote është diversifikimi i produktit dhe përshtatja e tij me kërkesat e konsumatorëve.

Interneti ka ndryshuar në gjithë botën qasjen konsumatore. Mënyrën se si i blejmë dhe shesim produktet. Ndërsa vite më parë çdo gjë sigurohej në dyqanet fizike, tashmë shumë konsumatorë shfrytëzojnë komoditetin dhe lehtësinë e blerjeve online. Pandemia e bëri edhe më të fortë këtë prirje. E në një botë ku e ardhmja është digjitale, Shqipëria nuk bën dot përjashtim nga rregulli. Sot gjithmonë e më shumë shqiptarë po blejnë online.  Ndërsa bizneset e suksesshme si Biote po i përshtaten me ritme të shpjeta, besueshmëri dhe shërbim cilësor këtij trendi.

Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se në vitin 2023, blerjet “online” janë kryer nga 38,5% e popullsisë, tregues që ka shënuar një rritje prej rreth 3,8 pikë përqindje, krahasuar me vitin 2022.

Ndër blerjet “online”, produktet që zënë peshën më të madhe janë rroba, këpucë, aksesorë, ndjekur nga shërbimet e dërgimit në shtëpi nga restorantet, “fast food” dhe shërbimet “catering”; produktet e teknologjisë, produktet kozmetike dhe ato të shtëpisë.

Por, edhe pse trendi i blerjeve online është përqafuar nga shqiptarët, krahasuar me vendet e tjera të rajonit ne jemi prapa. Vetëm 21% e popullsisë sonë blen online, ndërkohë që në rajon më mirë renditet Serbia, me 52.9%.

Informaliteti i lartë në tregun virtual, që çon më pas në abuzimet me çmimet dhe cilësinë dhe në humbjen e besueshmërisë janë arsyet që trembin konsumatorët, por penalizojnë edhe kompanitë e suksesshme që duan të jenë afër blerësve të tyre edhe me këto shërbime inovatore.

Por, konsumatorët dhe bizneset janë vetëm dy prej shtyllave, në një sistem ky element i rëndësishëm është shteti me institucionet e tij, me rolin për të formalizuar tregun e shitjeve dhe blerjeve online dhe për të garantuar kështu konkurrencën e ndershme.

Në një botë që lëviz me shpejtësi e ku gjithmonë e më shumë kërkohet lehtësi dhe fleksibilitet, Shqipëria ka shumë për të bërë për të nxitur blerjet dhe shitjet online. Një sfidë jo e vogël, por që e dikton e ardhmja e ku shteti, biznesi dhe konsumatorët duhen bërë bashkë, për të patur një treg të zhvilluar jo vetëm fizik, por edhe virtual, pasi në finale kjo i shërben ekonomisë së gjithësecilit dhe asaj të përbashkët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos