Më shumë cilësi se sasi. Duke mësuar nga gabimet e së shkuarës, me udhërrëfyes eksperiencën e vendeve të suksesshme, Shqipëria po ndryshon qasje në drejtim të turizmit, duke synuar më tepër para se sa numra të huajsh.
Objektivi, pjesë e strategjisë së re të zhvillimit të turizmit synohet të arrihet duke ofruar në këmbim “një shërbim më cilësor” të garantuar nga burime njerëzore të kualifikuara, shkruan A2.
“Çështja që ju prekët tani është edhe shtylla e gjashtë e strategjisë. Pra përmirësimi i burimeve njerëzore dhe ky është një argument tashmë i përqafuar nga të gjithë, edhe nga bizneset private. janë të gjithë të angazhuar për një përmirësim. Kjo nisur nga një sitëm i mirëfilltë programesh, në të gjithë sistemin tonë arsimor”, tha për A2 CNN, Herida Duro, Drejtore e Zhvillimit të Turizmit në MTM.
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit synon që numri i nxënësve dhe studentëve që studiojnë në profilet e turizmit të arrijë në gati 8 mijë e 500 në vitin 2030, nga rreth 5 mijë e 200 gjatë 2023-shit, raporton A2. Paralelisht do të vijojë “importimi” i fuqisë punëtore të huaj.
“Marrja dhe dhënia e sinergjisë e gjithë profesioneve është e mirëpritur. Kjo ndodh botërisht në gjithë industrinë turistike. Është e vlefshme edhe për rastin e Shqipërisë”, nënvizon Duro.
Lufta ndaj mos-deklarimit, veçanërisht në sektorin e akomodimit është një tjetër shtyllë e rëndësishme në strategjinë e re të zhvillimit të turizmit, transmeton A2. Ndërkohë kush jep apartamente me qira ditore, veç taksës së fjetjes do t’i paguajë shtetit edhe 20 euro në vit për çdo krevat që ka në formën e një “takse të sheshtë”.
“Kjo synohet të arrihet nëpërmjet një sistemi të dedikuar të statistikave në turizëm i cili do të jetë një mekanizëm mbështetës. Do të jetë një tarifë minimal dhe jo një barrë. Kjo i fut ata në rrjetin e strukturave të formalizuara në sistemin fiskal shqiptar”, shton Duro.
Numri total i net-qëndrimeve në hotele, bujtina dhe apartamente me qira ditore deri në vitin 2030 pritet të arrijë në mbi 70 milionë nga më pak se 29 milionë aktualisht. (A2 Televizion)