Me një sërë kantieresh të hapur, me projekte rrugësh të reja apo rehabilitimin e të vjetrave, fondet që kërkohen nga buxheti janë në rritje. Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë i janë shtuar 5,2 miliardë lekë me rishikimin e fundit të buxhetit.
Nga shtesa pak më shumë se 5,2 miliardë lekë, 4,75 miliardë do të shkojnë për financimin e projekteve, ndërsa rreth 500 milionë për pagat dhe sigurimet e punonjësve, siç raporton A2.
Kështu, nga 24,1 miliardë lekë që ishte fondi në dispozicion me ndryshimet në shkurt, buxheti për “transportin rrugor” rritet në 29,3 miliardë lekë. Në Aktin Normativ nuk tregohen projektet infrastrukturore që pritet të financohen me fondet shtesë. Ndërkohë, në dokumentin e politikave parësore pritet të marrin jetë në dy vitet në vijim përfshijnë Tiranë-Ndroq-Plepa, te rruga e lashtë e karvanit Vlorë-Berat-Voskopojë-Korçë, bashkë me rehabilitim e aksit Fier-Kthesa e Patosit-Fratar dhe zgjerimin e segmentit “Milot-Rrëshen në Rrugën e Kombit”.
Me një vlerë që tejkalon shumën e 500 milionë eurove, veprat e tjera infrastrukturore që pritet të financohen përfshijnë zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës, ndërtimin e Bypass-it të Gjirokastrës në korridorin Adriatiko-Jonian apo aksin Gjirokastër-Kakavijë.
Deri në fund të vitit 2027 pritet të nisë puna edhe për akset Mamaliaj-Ura e Subashit; Bushtricë-Pika Doganore Poçem-Memaliaj; Muriqan-Balldren, Elbasan-Lekaj dhe Bypass-i i Sarandës.
Ndërkohë, ka mbetur i pandryshuar në gati 5,3 miliardë lekë buxheti për financimin e projekteve hekurudhore. Pas garantimi të financimit, në dy vitet e ardhme prite të nisë ndërtimi i linjave hekurudhore Durrës-Prishtinë, Rrogozhinë-Pogradec dhe Vorë-Hani i Hotit. Te kjo e fundit pritet përmbylla edhe e elektrifikimit. (A2 Televizion)