Kufizohen pagesat me para në dorë, nuk ka më transaksione me më shumë se 500 mijë lekë

Nga A2 CNN
29 Tetor 2026, 10:55 | Ekonomi

Kufizohen pagesat me para në dorë, nuk ka më transaksione me

Qeveria do të rrisë edhe më shumë kushtëzimet për përdorimin e parasë cash për pagesa. Në ndryshimet që do t’i bëhen projektligjit ‘Për Procedurat Tatimore’, është vendosur gjobë sa 10% e faturës nëse pagesa me para në dorë është më e lartë sesa tavani që ka caktuar qeveria

Prej këtij viti qytetarët nuk mund të bëjnë transaksione me vlerë më të lartë se 500 mijë lekë, apo bizneset jo më të lartë se 100 mijë lekë.

Ndryshimet prekin edhe subjektet që refuzojnë në mënyrë të përsëritur të japin informacionin e kërkuar nga tatimet. Në këto raste, administrata tatimore mund të sekuestrojë dokumentacionin, pajisjet kompjuterike dhe ato fiskale, sipas kushteve të përcaktuara në projektligj.

Po ashtu, parashikohet lehtësimi i procedurës së kontrollit gjatë çregjistrimit të bizneseve, duke mos zbatuar afatin e zakonshëm të njoftimit për këtë kontroll. Verifikimi duhet të përfundojë brenda afatit maksimal prej 30 ditësh pune.

Një tjetër ndryshim lidhet me mundësinë që administrata tatimore të nisë procedurat e mbledhjes me forcë për parapagimet e papaguara të tatimit mbi fitimin dhe tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi, pasi të ketë përfunduar afati ligjor i pagesës. Sipas relacionit, synimi është të rritet disiplina e pagesave dhe të shmanget akumulimi i detyrimeve deri në deklarimin përfundimtar të tatimit.

Projektligji parashikon gjithashtu gjobë prej 100 mijë lekësh për tatimpaguesit që nuk vënë në dispozicion brenda afatit ligjor dokumentacionin e transferimit të çmimit, i cili kërkohet nga administrata tatimore. Afati për paraqitjen e këtij dokumentacioni është 45 ditë, sipas ligjit për tatimin mbi të ardhurat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos