Gjysma e familjeve ngrohen me dru zjarri, sugjerohet gazifikimi i vendit

Nga A2 CNN
18 Dhjetor 2023, 17:27 | Ekonomi

Drutë e zjarrit dhe qymyri janë burimi kryesor i ngrohjes për familjet shqiptare. Të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT tregojnë se gati gjysma e familjeve përdorin sobat apo oxhakun për ngrohjen e banesave të tyre, e pasuar nga energjia elektrike në vend të dytë dhe pjesa e mbetur me gaz.

“Në zonat malore qytetarët përdorin ngrohjen me dru edhe sepse ka probleme në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike dhe për një arsye tjetër se qytetarët e gjejnë më lehtë kurse  pjesa tjetër përdorin vetëm energjinë elektrike e cila ndikon direkte në rëndimin e rrjetit sidomos tani dhe me ardhjen e festave të fundvitit”, u shpreh eksperti Azmer Duleviç.

Ndalur sipas qyteteve Kukësi, Dibra e Korça zë përqindjen më të lartë të përdorimit të druve si mënyrë ngrohje, ndërsa Tirana, Durrësi e Vlora përdorin më së shumti energjinë elektrike.

Edhe pse i kanë të disponueshme pajisjet qytetarët i druhen faturave të larta në fund të muajit.

“Jo të gjithë qytetarët kanë mundësinë të ngrohin të gjithë banesën e tyre. Pra përdorin thjesht një kondicioner dhe dhomat e tjera janë të ftohta. Nuk mund të flasim për mirëqenie por për mbijetesë”.

Vetëm 4% e familjeve shqiptare në të gjithë vendin e përdorin gazin për ngrohje për shkak të rrezikshmërisë së lartë që ai paraqet. Por sipas ekspertëve implementimi i një sistemi qendror do të rriste cilësinë e jetesës.

“Zgjidhje për të rritur dhe cilësinë e jetesës do të ishte një rrjet gazifikimi por duket që është shumë larg në vendin tonë dhe të paktën edhe për 15 vite të tjera”, shton eksperti.

Ndër vite, familjet në Shqipëri shprehin tendenca të ndryshme lidhur me zotërimin e pajisjeve afatgjata si: mikrovalë, panele diellore, kondicionerë apo pajisje me shumë funksione.

Më shumë se 75% e familjeve shqiptare zotërojnë pajisje me shumë funksione, tregues i cili ka pësuar rritje prej rreth 5,7 pikë përqindje në vitin 2022 krahasuar me vitin 2021. Janë qytetarët e Gjirokastrës të cilët zotërojnë më shumë me 17,6 pikë përqindje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos