Pas niveleve të larta të çmimeve gjatë sezonit veror, bizneset mund të ulin çmimet për pjesën e mbetur të vitit. Sipas vrojtimit të përmuajshëm të Bankës së Shqipërisë mbi besimin në ekonomi, sektor si tregtia e shërbimet parashikojnë me rënie çmimet e produkteve të prodhuara dhe ofruara.
Kjo rënie e çmimeve vjen edhe si rezultat i rënies së besimit në ekonomi në këto sektor. Ky tregues tek tregtia ra me 2.3% në shtator pas një rritje me 6% në gusht. E ndikuar kryesisht nga ecuria aktuale e biznesit por dhe pritshmëritë në ulje për punësimin.
“Rritja e çmimit të lëndës parë, karburant, energji elektrike por dhe nënçmimit të euros për shkak të gjendjes së eksportuesve në humbje e cila ndikon në një bilanc tregtar negativ”, tha për A2 ekspertja Romina Radonshiq.
Sa i përket ecurisë aktuale të biznesit industria, shërbimet dhe ndërtimit shprehen pozitivisht me një rritje përkatësisht me 2.5%, 3.1% dhe 1.2%.
“Shohim që ndërtimi ka një liberalizim të lejeve të ndërtimit që ka ndikuar në performancën e këtij sektori gjithashtu dhe punësimet. Ndërkohë që shërbimet që përfshijnë turizmin, është një sektor strategjik që po zhvillohet dita ditës, dhe shohim një rritje të turistëve që sjellin të hyra lokale dhe personale, ndaj këto dy sektor performojnë mirë”, deklaroi për A2 ekspertja Radonshiq.
Përballë një vale rëniesh të çmimeve por dhe ecurisë pozitive të ekonomisë së bizneseve, konsumatorët qëndrojnë neutral. Ata parashikojnë rënie të situatës aktuale financiare por dhe të kursimit.
(A2 Televizion)