Viti i kaluar nuk ishte i mbarë për prodhimin e energjisë elektrike. Nga gati 8.8 milionë megavat-orë gjatë 2023-shit, hidrocentralet, panelet diellore dhe ato eolike prodhuan rreth 7.8 milionë megavat-orë energji në 2024-ën.
Tkurrja e prodhimit përllogaritet në 10.9 për qind. Situata u ndikua edhe nga prodhimi i energjisë nga panelet fotovoltaike, me vetëm 67 mijë e 700 megavat, shkruan A2.
Anduel Çekrezi, ekspert për sektorin energjetik, shprehet: “Diversifikimi është fjala kyçe për sistemin tonë energjetik. Ne jemi të përqendruar 100% në prodhimin hidro. Në këto dy vitet e fundit kemi shtuar një përqindje të vogël në energji diellore. Janë duke u ndërtuar disa parqe gjeneratorësh të erës.”
Për shkak të shtimit të turistëve, gjatë vitit të shkuar u zgjerua edhe konsumi i energjisë elektrike. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e 12 muajve u përdorën gati 8.2 milionë megavat-orë energji elektrike nga më pak se 7.9 milionë gjatë 2023-shit.
Rrjedhimisht, nga jashtë u ble më tepër energji. Nga rreth 1.9 milionë megavat-orë në 2023-shin, vitin e shkuar importet arritën në mbi 2.6 milionë duke u zgjeruar me 38.9 për qind.
Anduel Çekrezi, ekspert për sektorin energjetik, thotë për A2: “Shumë të interesuar kanë qenë bizneset gjatë këtyre kohëve sepse bizneset e kanë koston energjisë gati dyfish dhe në qoftë se një familje e nxjerr koston fillestare për 5 ose 7 vjet, një biznes e nxjerr për 2 vjet ose 2 vjet e gjysëm. Institucionet ose qeveria qendrore duhet të merret me këtë pjesë sepse në shohim në shumë vende në europë kanë hequr TVSH-në për panelet fotovoltaike.”
Me prodhimin e tkurrur dhe konsumin e zgjeruar, bilanci i energjisë elektrike vitin e shkuar u mbyll me gati 334 mijë megavat orë të munguara. Nga ana tjetër, të dhënat nga INSTAT tregojnë se nga 20.62 për qind në 2021-n, niveli i humbjeve në rrjet vitin e sapo lënë pas u tkurr në 17.93 për qind. Nga ana tjetër arkëtimet janë zgjeruar ndjeshëm në 4 vitet e fundit. (A2 Televizion)