Pas zhytjes në pesimizëm fund-vitin e shkuar, pasuar nga demoralizimi në nisje të këtij viti, rikthehen pritshmëritë pozitive te qytetarët dhe sipërmarrësit shqiptarë. Në shkurt, treguesi i ndjesisë ekonomike që mat aftësinë e bizneseve për të kryer investime dhe konsumatorëve për të shpenzuar u rrit me 0.9 pikë. Në janar, kjo ndjesi kishte rënë me 0.8 pikë, ndërsa shkurtin e një viti më parë me 2.4 pikë.
“Rritja e TNE-së në këtë muaj u përcaktua nga rritja e besimit në sektorët e industrisë, tregtisë dhe atij të konsumatorit. Nga ana tjetër, besimi në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve regjistruan rënie”, thotë për A2 CNN Eriola Hoxha, eksperte për ekonominë.
Besimi i bizneseve ra 1.4 pikë në shkurt, pavarësisht shifrave rekord të turizmit, në fushën e shërbimeve ku përfshihen super-marketet, baret dhe restorantet. Dhe pas shumë muajsh optimizmi, edhe sektori i ndërtimit nuk e pati besimin e mëparshëm muajin që kaloi. Rritje pësoi besimi i tregtarëve me 1.1 dhe 3.2 pikë.
“Te ndërtimi po jep efekt kursi i këmbimit. Rritjet dhe zhvlerësimi brenda pak kohësh i euros po çorodit shitjet”, thotë Hoxha.
Rritja më e ngadaltë e çmimeve këtë fillimvit duket se ka kthyer qetësinë dhe optimizmin te qytetarët se “kriza ka mbetur pas krahëve”. Treguesi i besimit të qytetarëve muajin e shkuar u rrit me 2 pikë pas rënies me 3 pikë në janar.
Por këto shifra pak përputhen me atë që qytetarët shprehin. “Çmimet rriten, çdo gjë bëhet e papërballueshme. Të ardhurat tkurren se harxhojmë më shumë. Rrogat janë në vendnumëro. Me të ardhurat që marr thjesht mund të hash bukë dhe të pish një kafe. Pagat janë të ulëta dhe mendimin e kam të iki jashtë. Synoj Gjermaninë”, thonë ata.
I gjithë ky paradoks e ka një shpjegim. “Problemi qëndron te fakti se ne nuk kemi kontrolle në tregje. Qytetarët kanë të drejtë. Çmimet ulen aty ku ne importojmë, por jo në tregjet tona. Dhe këtu faji është i shtetit”, thotë Hoxha.
Më optimiste në parashikimet e pranverës janë edhe institucionet ndërkombëtare. Banka Botërore, ajo Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, e Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikojnë se Prodhimi i Brendshëm Bruto do të zgjerohet me mesatarisht 3.7 për qind. (A2 Televizion)