Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, i organizuar nga Klik Ekspo Group, është kthyer këtë vit në një platformë të rëndësishme për investime strategjike dhe bashkëpunime të reja ndërkombëtare.
Nga arkitektura moderne dhe teknologjia bashkëkohore, deri te industria e lehtë, në ditën e tretë të punimeve panairi tërhoqi një numër të madh sipërmarrjesh të huaja dhe vendase me synimin për të zgjeruar praninë e tyre në tregun shqiptar.
“Është një moment i rëndësishëm, sepse prezantojmë një nga veprat më prestigjioze që do të ndërtohen së shpejti në Tiranë. Studioja zvicerane Herzog & de Meuron njihet për standardet e larta dhe reputacionin ndërkombëtar në fushën e arkitekturës. Ky panair është një mënyrë e shkëlqyer për të komunikuar me qytetarët, jo vetëm me grupet profesionale, por edhe me publikun që dëshiron të shohë drejtimin e ri të zhvillimit urban të Tiranës. Jemi të lumtur që jemi pjesë e këtij transformimi urban, veçanërisht me projektin ‘Alana Tower’, që po ndërtohet në zonën e bulevardit të ri”, tha Julian Beqiri, Kompania Klark & Herzog de Meuron...
“Këtë vit kemi 17 kompani nga Mali i Zi, nga sektorë të ndryshëm si industria ushqimore, turizmi dhe prodhimi. Të gjithë janë shumë të kënaqur dhe të hapur për bashkëpunim me tregun shqiptar. Kemi marrëdhënie të mira me bizneset shqiptare dhe jemi këtu për t’i afruar edhe më shumë dy tregjet tona. Panairi zgjat 4 ditë dhe presim më shumë kompani shqiptare të na vizitojnë”, tha Ivana Paraca – Kryetare e Dhomës së Tregtisë të Malit të Zi...
“Ne operojmë në fushën e elektronikës dhe matjeve teknike. Kjo është hera e parë që marrim pjesë në panairin e Tiranës për të prezantuar zgjidhjet tona për elektrifikimin hekurudhor. Kemi shumë eksperiencë në këtë fushë dhe punojmë me kompani partnere në të gjithë Evropën. Kjo është një mundësi unike për t’u prezantuar në një treg të ri me potencial të madh si Shqipëria”, tha Matijaz Marinko – Drejtor i Përgjithshëm në BELMET...
Në këtë edicion, kompanitë e huaja shfaqën interes të veçantë për investime në infrastrukturë, energji dhe zhvillim urban, ndërsa sipërmarrësit shqiptarë prezantuan projekte të reja me vizion avangard dhe inovativ.
“Ky është një moment i mirë për të investuar në Shqipëri. “Sol Energy Solutions” është këtu për të eksploruar tregje të reja. Këtu shohim potencial”, tha Amir Fardhabibi, menaxher Financiar dhe i Operacioneve në Sol Energy Solutions.
Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë u shprehën optimistë për zgjerimin e bashkëpunimit me bizneset shqiptare. Pjesëmarrje të gjerë ka shënuar edhe Dhoma e Tregtisë Italo-Shqiptare.
“Kjo është hera e parë që marrim pjesë në panairin e Tiranës dhe kemi krijuar shumë kontakte të rëndësishme. Kemi tashmë një agjenci në Tiranë që ofron mbështetje tregtare dhe shërbime për klientët tanë. Po investojmë shumë në rajonin e Ballkanit në Shqipëri, Kosovë dhe Mal të Zi sepse shohim potencial të madh në fushën e ndërtimit civil dhe industrial”, tha Mario Vignola – Menaxher i Shitjeve...
“Bostock është një kompani me bazë në Londër që punon në sektorë si mbrojtja, detaria, arsimi dhe siguria kibernetike. Jemi këtu për të ndërtuar partneritete me biznese shqiptare, sepse Tirana është një qytet me ambicie dhe me shumë talent. Panairi Klik është një mundësi fantastike për t’u takuar drejtpërdrejt me njerëz. Mund të komunikosh online, por asgjë nuk zëvendëson kontaktin fizik”, tha Sinkron Harry Robson – Menaxher i Lartë në Burstock London...
I gjithë ky interes është më se i mirëpritur nga institucionet shqiptare. Në një panel të dedikuar u diksutua për zhvilkimin e projekteve ne teknokogji dhe rritjen e investimeve te huaja.
Panairi Ndërkombëtar i Klikut 2025 po dëshmon edhe një herë rolin e tij si një qendër e rëndësishme e nxitjes së investimeve dhe partneriteteve ndërkombëtare, duke reflektuar zhvillimin dinamik ekonomik që po përjeton Shqipëria. (A2 Televizion)
