Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, “Klik Ekspo Group”, një nga ngjarjet më të rëndësishme ekonomike në vend vijoi punimet në ditën e dytë. “Plani Energjetik i Shqipërisë dhe Tranzicioni i Energjive të Rinovueshme” ishin ndër çështjet më të rëndësishme ku pjesë e paneleve të diskutimeve u bënë pjesë përfaqësues të institucioneve publike, kompanive vendase dhe ndërkombëtare, në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë. Gjithashtu pati përfaqësues nga Italia, Zvicra, SHBA, Sllovenia dhe vende të tjera. Diskutimet e panelistëve u fokusuan në strategjinë kombëtare të energjisë dhe hapat drejt tranzicionit të qëndrueshëm energjetik në përputhje me objektivat e EU Green Deal dhe vizionin ‘Shipëria 2030’.
“Kemi disa projekte të cilat synojnë ti japin një transformim shoqërisë, ku më i rëndësishmi mbetet nënstacioni i parë elektrik nëntokësor i qendrës së Tiranës – qytet që ka nevojë për një nënstacion të ri pasi ka një bum ndërtimesh. Ky është nënstacioni i parë i këtij lloji në Shqipëri, por dhë ndër të rrallët në Europë në qendër të Tiranës, është nëntokësor, për shkak edhe të arkitekturës që duhet ta respektonim. Ka një vlerë rreth 22 milionë euro, jemi në fazën përmbyllëse të garës, dhe mendoj që brenda vitit 2026 do të kemi fillimin e ndërtimit të tij, një projekt i rëndësishëm për sa i përket furnizimin me energji në qytetin e Tiranës”, tha Enea Karakaçi, administrator i OSHEE.

Shqipëria turistike dhe oferta e saj në tregun ndërkombëtar të turizmit, ishin pjesë e diskutimit në panelin me temë “Turizmi sot dhe në të ardhmen”. Në ditën e dytë të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, përfaqësues të ministrisë së Turizmit, pushtetit lokal, organizatave dhe biznesit, folën për potencialin turistik që ka vendi ynë dhe nismat që do të kontribuojnë për zhvillimin e qëndrueshëm.
“Vitin e kaluar Shqipëria priti 12 milionë turisë, dhe brenda një 10-vjeçari shohim që numri është 3–fishuar. Askush nuk e besonte se Shqipëria do të bëhej një destinacion kaq i kërkuar. Pavarësisht entuziazmit dhe investimit të shumëkujt që e shikon Shqipërinë si një vend me potencial, oferta jonë turistike shoqërohet edhe me sfida dhe që tani ne duam të krijojmë cilësi, duke e ndërlidhur turizmin me artet, kulturën, historinë dhe sportin”, tha Lira Pika, zëvendësministre e Turizmit, Kulturës dhe Inovacionit.
“Projektet Mega të Infrastrukturës në Shqipëri – Porta drejt Integrimit Global” ishin tema tjetër e diskutimeve. “Në fund të gjithë këtij operacioni që Hekurudha Shqiptare në bashkëpunim me qeverinë po bën bashkë me Komisionin Evropian, në vitin 2030 do kemi ulje të trafikut me 30% dhe ndotsha nuk do të jetë më si më parë”, tha Ergys Verdho, kreu i Hekurudha Shqiptare.

Në pavijonin “Window into the Future”, u zhvillua një panel i dedikuar nismave “Ndërtimi i partneriteteve dhe besimit – Njohja dhe zbatimi i projekteve AIC dhe Durana”. Në qendër të diskutimit ishte Durana Tech Park, një nga projektet më ambicioze për krijimin e një ekosistemi të integruar teknologjik në Shqipëri dhe rajon.
Sipas Vahidije Kadiut, menaxhere projekti e Durana Tech Park, ky është një hapësirë që synon të kthehet në qendrën më të rëndësishme të inovacionit në Ballkan, duke bashkuar kompani teknologjike, startup-e, universitete dhe profesionistë të pavarur. Parku do të shërbejë si një zonë e dedikuar për kërkimin dhe zhvillimin në inteligjencën artificiale, inxhinierinë softuerike, “cloud computing”, sigurinë kibernetike dhe teknologjitë emergjente. (A2 Televizion)
