Fermerët, blegtorët, peshkatarët e bletërritësit do të vijojnë të kenë thuajse të njëjtin fond financimi nga ndarja e buxhetit të përgjithshëm.
16,2 miliardë lekë është fondi për Ministrinë e Bujqësisë, me një diferencë prej afro 1,6 miliardë lekë, apo 11% më shumë se një vit më parë, shkruan A2.
Për ekspertët e bujqësisë, kjo vlerë është e pamjaftueshme për një sektor që i jep buxhetit të shtetit 16-20% të të ardhurave: “Në rajon fondi shkon 80% për fermerët dhe 20% për shpenzime të tjera. Këtu ndodh e kundërta”.
Një skemë e re propozohet që fermerët të kompensohen me 10% të TVSH-së së paguar për blerjen e inputeve bujqësore, por me një tarifë po me 10% të TVSH në hyrjet doganore për këtë produkt, sërish përfitimi pritet të jetë i vogël.
Edhe për këtë vit, fermerët shqiptarë janë të përjashtuar nga fondet e IPARD3, si pasojë e abuzimeve në menaxhimin e tyre nga zyrtarët e lartë. Gjatë periudhës së raportimit nuk është bërë përparim në përputhjen e legjislacionit mbi politikën e cilësisë së legjislacionit të Bashkimit Europian, thuhet në raportin e fundit të ndërkombëtarëve. (A2 Televizion)
