Karakaçi inspekton punimet për bypassin e Elbasanit: I jep zgjidhje trafikut

Nga A2 CNN
15 Shtator 2026, 17:33 | Ekonomi

Ministri i Infrastrukturës, Eja Karakaçi, inspektoi nisjen e punimeve në terren për ndërtimin e bypassi-t të Elbasanit, një projekt që sipas tij synon të lehtësojë trafikun dhe të përmirësojë lidhjen rrugore mes Tiranës, Elbasanit dhe juglindjes së vendit.

Karakaçi bëri të ditur se by passi do të jetë autostradë e kategorisë A, me të njëjtat standarde si autostrada aktuale Tiranë-Elbasan.

“Ky projekt i jep zgjidhje trafikut të krijuar gjatë gjithë kësaj periudhe, veçanërisht gjatë sezonit turistik. Dy kontratat janë lidhur tashmë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Segmenti i parë fillon aty ku përfundon autostrada Tiranë-Elbasan dhe punimet kanë nisur”, deklaroi ministri.

Sipas tij, kantieri është hapur falë përfundimit të shpronësimeve të kryera më herët, çka ka mundësuar ecurinë normale të punimeve. Aktualisht po punohet në 3 kilometrat e para të projektit, të cilat do të përfundojnë pranë ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.

Karakaçi njoftoi gjithashtu se pjesa vijuese e projektit, deri pranë Peqinit, është në proces prokurimi dhe pritet të nisë gjatë vitit të ardhshëm.

Ministri theksoi rëndësinë strategjike të këtij investimi, duke sqaruar se bypassi do të shërbejë si vazhdim i autostradës Tiranë-Elbasan, do të ndajë flukset e trafikut mes juglindjes dhe jugut të Shqipërisë, si dhe do të lidhet me korridorin Elbasan-Qafë Thanë.

“Me këtë projekt krijojmë një ndërlidhje të rëndësishme mes autostradës Tiranë-Elbasan, të by passit të Elbasanit dhe korridorit Elbasan-Qafë Thanë, duke ofruar një zgjidhje të integruar për trafikun në vend”, u shpreh Karakaçi.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos