Kryesisht në Itali, Serbi e Marok, Shqipëria eksportoi gati 10 mijë ton peshk dhe produkte të tjera të detit gjatë vitit të shkuar. Në krahasim me vitin 2022, shitjet e ushqimeve të detit jashtë vendit u zgjeruan me 265 tonë. Megjithatë, për shkak të zhvlerësimit të euros tregtarët e peshkuat futën në xhepa për pak më shumë se 7.5 miliardë lekë nga gati 8 miliardë gjatë 2022-shit.
Pavarësisht se kërkesa për peshk dhe produkte të tjera u rrit si rrjedhojë e turistëve, sezoni i mbarë bëri që vendi të importonte më pak ushqime deti nga jashtë gjatë vitit të shkuar. Pjesa më e madhe nga Ekuadori, Greqia dhe Spanja. Në vend u futën 26 mijë e 462 tonë peshk dhe produkte të tjera nënujore nga mbi 30 mijë tonë gjatë 2022-shit.
Restorantet dhe qytetarët paguan gati 10.7 miliardë lekë për ushqimet e detit gjatë 2023-shit, nga rreth 13.7 miliardë lekë gjatë 2022-shit.
Si pasojë edhe e përfshirjes në skemën e subvencioneve, nga deti, bregdeti, liqenet, lumenjtë e lagunat e vendit po nxirret më shumë peshk. Të dhënat nga Instituti i Statistikave tregojnë se në harkun e 5 viteve, zënia e peshkut është zgjeruar me gati 4 mijë ton.
Pjesa më e madhe e tij, 44 për qind nxirret nga deti nga 784 anijet e peshkimit, ndërsa 15.5 për qind zihet në bregdet. Pjesa tjetër e peshkut, një pjesë e së cilit ngel në vend e tjetra për eksport zihet në lagunat, liqenet dhe lumenjtë e vendit. (A2 Televizion)