“PriceWatch Albania”, platforma e re që synon të rrisë transparencën mbi çmimet e ushqimeve bazë, pritet të bëhet aktive në fillim të tetorit.
Qytetarët do të mund të krahasojnë çmimet nga prodhimi deri te pika e shitjes, ndërsa institucionet do të monitorojnë lëvizjet përgjatë zinxhirit. Synimi është rritja e konkurrencës dhe frenimi i abuzimeve me çmimet.
“Jemi duke punuar me importuesit, prodhuesit dhe marketet për një listë produktesh që do të tregtohen për 3 muaj me çmime fikse dhe me një fitim minimal. Ne presim që në 10-ditëshin e parë të tetorit të kemi live çmimet e 160 produkteve ushqimore. Jemi duke akorduar me marketet kryesore listën finale të shportës, e cila do të ketë ushqime dhe produkte të higjienës që përdoren kryesisht nga familjet shqiptare.”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në konferencën për mediet, ministrja solli në vëmendje edhe projektin e strehimit, përmes të cilit 4 mijë çifte të reja do të mund të përfitojnë kredi pa interesa.
“Ne jemi ende duke finalizuar ndryshimet në ligjin për strehimin. Ky ligj pritet të miratohet brenda mesit të tetorit, ndërkohë që ne po punojmë paralelisht për aktet nënligjore që do t’i hapin rrugën thirrjes për programin e strehimit, kreditë e buta me normë interesi të subvencionuar dhe programin e qirave. Instrumente të tillë janë përdorur edhe më parë.”, tha Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Teksa paraqiti shifrat e ecurisë ekonomike, të cilat i cilësoi si “pozitive”, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, argumentoi se situata do të ishte “edhe më mirë” nëse nuk do të ishin protestat.
“Sipas muajve, ka pasur ndryshime në besimin e biznesit dhe konsumatorit, por pranë mesatareve historike. Ngjarjet që kanë ndodhur muajt e fundit, sidomos ato në qershor, kur protestat ishin në nivele më të larta, patën një ndikim te besimi i biznesit dhe ecuria e tij, sepse gjatë qershorit ka pasur një nivel të lartë anulimesh në turizëm. Pra, pa diskutim që në atë muaj ka pasur lëkundje të besimit të biznesit, i cili ka ardhur duke u rikuperuar.”, Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Në konferencën për shtyp, ku prezantoi të dhënat e INSTAT për rritjen ekonomike të vendit në tremujorin e dytë të vitit 2026, ministrja Ibrahimaj deklaroi se fluksi i investimeve të huaja direkte ishte 50 për qind më i lartë se një vit më parë, por mbi gjysma e tyre shkuan në pasuritë e paluajtshme. (A2 Televizion)