Shqipëria po kërkon një model të ri ekonomik. Në më shumë se tre dekada e gjysmë ekonomia ka ecur në të njëjtat shina, duke kopjuar veten ndërsa politikat e ndërmarra kanë tentuar kryesisht përfitime afatshkurtra.
Sot vendi ka nevojë për hapa konkretë drejt modelimit të ekonomisë që ndërton bazën e duhur për brezat e ardhshëm. Japonia është e gatshme të japë një dorë në këtë drejtim dhe rezervuari i Bovillës mund të jetë “guri i themelit”.
Inxhinieri japonez shprehet për A2CNN: “Rezervuari i Bovillës është një burim ujor me rëndësi strategjike për Tiranën dhe zonat përreth, ndërsa pellgu i tij ujëmbledhës është i ekspozuar ndaj degradimit të tokës, erozionit dhe transportit të sedimenteve. Për të adresuar këto problematika janë kombinuar masat strukturore të kontrollit të erozionit me rehabilitimin e vegjetacionit dhe restaurimin ekologjik”.
Dy zona pilot pranë fshatit Zall-Bastar janë përzgjedhur për të demonstruar në praktikë zbatimin e kësaj qasjeje në kushte të ndryshme të degradimit dhe erozionit.
“Punimet kanë përfshirë prita me gabiona në kanalet më të mëdha, prita dhe taraca me material drusor në kanalet më të vogla, masa për mbrojtjen sipërfaqësore të tokës, mbjellje, si dhe rrethim perimetrik. Masat janë projektuar për të reduktuar shpejtësinë e rrjedhjes sipërfaqësore, për të kufizuar erozionin dhe transportin e sedimenteve”, shton inxhinieri nga Japonia.
Projekti ka kaluar tashmë nga faza kryesore e zbatimit fizik në fazën e monitorimit dhe mirëmbajtjes së ndërhyrjeve të realizuara
Inxhinieri Saimir Hoxha shpjegon: “Kjo fazë është veçanërisht e rëndësishme për një ndërhyrje NbS, pasi efektiviteti i saj nuk varet vetëm nga përfundimi i strukturave, por edhe nga stabilizimi progresiv i terrenit, zhvillimi i vegjetacionit dhe funksionimi i kombinuar i elementeve strukturore dhe biologjike”.
Me shtetin me ekonominë e katërt më të madhe në botë, Shqipëria ka lidhje kryesisht në drejtim të tregtisë së jashtme. Nga vendi aziatik deri në gusht u importuan produkte me vlerë rreth 28 milionë euro, shifër kjo në trajektore të ngjashme me vitet e shkuara.
Në drejtim të eksporteve, në pesë vitet e fundit apo janë luhatur nga 4 deri në 9 milionë euro. (A2 Televizion)