Më shumë parandalim dhe zbulim, hetim e koordinim bashkë me politika të reja dhe koordinim. Shqipëria ka tashmë një strategji të re për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit. Dokumenti, efektet e të cilit do të shtrihen deri në vitin 2030 u miratua edhe në mbledhjen e Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave.
“Në hartimin e strategjisë një vëmendje e veçantë i është dhënë bashkëpunimit me sektorin privat si bankat, noterët, zyrtar e këmbimit valutor të cilët janë angazhuar në mënyrë aktive”, tha zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Qëllimi kryesor i Strategjisë është krijimi i një ekonomie dinamike dhe një sistemi financiar të sigurt dhe të integruar. Ajo synon gjithashtu garantimin e sigurisë së shtetasve shqiptarë dhe respektimin e të drejtave dhe lirive individuale.
“Gjithashtu do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se miratimi i strategjisë është një nga masat që duhet të përmbushim në kuadër të agjendës së reformave në kuadër të planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor”, tha Balluku.
Në dokumentin udhëzues për formulimin e strategjisë, janë përfshirë dhe objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe politikat për nxitjen e ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit, sigurimin e mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Me rëndësi është që të gjitha institucionet të përmbushin të gjitha kërkesat që vlerësimi i radhës i Moneyval të ruajë trendin pozitiv. Duhet t’i përgjigjemi në kohë kërkesave të ekspertëve. Evidentimi me qartësi të nevojave buxhetore që të adresohen në kohë. Konstatoj se ka pasur një ndryshim thelbësor të performancës së të gjithë institucioneve krahasuar me mbledhjen në dhjetor të 2023”, tha Balluku.
Pjesë e mbledhjes së Komitetit të Bashkërendimit të Luftës Kundër Pastrimit të Parave ishin edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, ai i drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Mbrojtjes Niko Pelshi, ai i Financave, Ervin Mete dhe Guverantori Gent Sejko. (A2 Televizion)