
Partia Demokratike ka kërkuar përjashtimin me 10 ditë nga Kuvendi të kreut të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, me argumentin se ka përdorur gjuhë fyese dhe kërcënuese në drejtim të ligjvënësve opozitarë.
Kërkesa e Grupit të PD i është dërguar Sekretariatit të Etikës dhe evidentohen fjalë si “lehni”, “rraca e këtyre”, “gënjeshtar”, e të tjerë që Balla i ka përdorur gjatë fjalës së tij në Kuvend.
“Në seancën e datës 06.11.2025, në shkelje të plotë të etikës dhe gjuhës parlamentare, gjatë diskutimit të tij në foltoren e Kuvendit, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla, ndërkohë që fliste për miratimin e kalendarit dhe programit të punës së Kuvendit, ndërmori një sulm me fyerje dhe gjuhë joparlamentare drejtuar deputetëve të opozitës.
Gjuha joparlamentare dhe fyese, që përfshinë fjalë “lehni”, “rraca e këtyre”, “ta tregoj unë ty”, “gënjeshtar”, etj., gjatë fjalës për kalendarin dhe programin, është shkelje disiplinore sipas nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, ku specifikohet se: “1.Masa disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhelose në seancë plenare deri në 10 ditë” i jepet deputetit: a) kur edhe pas tërheqjes së vëmendjes dhe dhënies së vërejtjes nga drejtuesi i seancës/mbledhjes, bën thirrje për përdorim dhune, pengon zhvillimin e rregullt të seancës plenare/ mbledhjes së komisionit, shkakton kaos në seancë plenare komision, fyen, kërcënon ose dhunon deputetët e tjerë, drejtuesin e seancës, anëtarët e Këshillit të Ministrave, të ftuarit ose persona të tjerë, apo përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës, Kryeministrin ose institucione të tjera shtetërore”.
Kjo sjellje e deputetit Taulant Balla është e përsëritur seancë pas seance, dhe mbetet në cdo rast i pa ndëshkuar. Fyerja dhe kërcënimi ndaj deputetëve të opozitës është papranueshëm dhe duhet të shoqërohet me masën disiplinore përjashtimin me 10 ditë nga seanca plenare dhe komisionet parlamentare.
Prova për përdorimin e gjuhës jo parlamentare, fyese dhe kërcënuese, gjenden në faqen zyrtare të Kuvendit, në facebook, gjatë fjalës së deputetit Taulant Balla, lidhur me programin dhe kalendarin e punimeve të Kuvendit.
Për të gjitha sa më lart, në mbështetje të nenit 65/1, pika 1, shkronja “a”, kërkojmë: Mbledhjen e Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën për shqyrtimin brenda afatit të kësaj kërkese. Marrjen e masës disiplinore Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare për 10 ditë” ndaj deputetit Taulant Balla”, thuhet në kërkesë. (A2 Televizion)
