Malaj prezanton buxhetin në Komisionin e Ekonomisë: Katër prioritete për zhvillimin

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2026, 11:20 | Ekonomi

Malaj prezanton buxhetin në Komisionin e Ekonomisë: Katër

Ministri i Financave, Petrit Malaj, tha se buxheti i vitit të ardhshëm akordon fondet më të mëdha të dhëna ndonjëherë nga qeveria shqiptare për bujqësinë dhe fermerët.

Në fjalën e tij në Komisionin e Ekonomisë, Malaj tha se për vitin 2027 do të mbështesim sektorin me 18 miliardë lekë ose ndryshe 10% më të shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.

“Por ky buxhet nuk është instrumenti i vetëm i mbështetjes, ai vjen i shoqëruar me paketën fiskale dhe me një sërë masash ku fermeri dhe produktet bujqësore e blegtorale vendosen në qendër. Shifra prej 18 miliardë lekësh do të përkthehet në rezultate të matshme për fermerin, blegtorin, peshkatarin, sipërmarrjen dhe konsumatorin”, tha Malaj.

Sipas tij, prioritetet e buxhetit për bujqësinë janë katër: zhvillimi i qëndrueshëm i bujqësisë dhe zonave rurale, siguria ushqimore,  zhvillimi i peshkimit dhe ekonomisë blu dhe forcimi i institucioneve, inovacionit e digjitalizimit.

“Këto politika zbatohen përmes shtatë programeve buxhetore. Programi i Zhvillimit Rural është shtylla kryesore e këtij buxheti. Për të parashikohen rreth 8,4 miliardë lekë, kundrejt 7,7 miliardë lekëve në buxhetin fillestar të vitit 2026, duke përfaqësuar afërsisht 47% të buxhetit të ministrisë.

Shtylla e dytë është siguria ushqimore. Për vitin 2027 programi ka një buxhet rreth 3 miliardë lekësh, ose 87.3 milion lekë më shumë krahasuar me vitin 2026. Nga të cilat vetëm për investimet janë parashikuar 371 milionë lekë.

Një tjetër prioritet madhor është infrastruktura e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytjet. Ndryshimet klimatike dhe episode me mot të keq kanë vënë në vështirësi fermerët në të gjithë vendin. Sot bujqësia shqiptare kërkon ujitje për një kohë më të gjatë, me më shumë intensitet dhe mbrojtje më të lartë nga përmbytjet. Për vitin 2027 parashikojmë 4,3 miliardë lekë, ose 19,3% më shumë se buxheti fillestar i vitit 2026.

Rreth 2,5 miliardë lekë do të shkojnë për vijimin e 74 objekteve të nisura në vitin 2026, nga të cilat 24 në administrim të ministrisë dhe 50 në administrim të bashkive.

Peshkimi dhe akuakultura janë një tjetër sektor me potencial për zhvillim dhe eksporte.

Programi i mbështetjes për peshkimin arrin në 727 milionë lekë, 25% më shumë se në vitin 2026. Objektivat përfshijnë rritjen graduale të prodhimit të produkteve peshkore me 10–20% dhe të eksporteve me 15–20% deri në vitin 2028”, shtoi ministri.

“Politikat tona nuk mund të mbeten vetëm në dokumente; ato duhet të arrijnë deri te fermeri. Për programin e Këshillimit dhe Informacionit Bujqësor janë parashikuar 872 milionë lekë, 6,4% më shumë se në vitin 2026.  Ky program financon pesë Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore dhe katër Agjencitë Rajonale të Ekstensionit Bujqësor.

Menaxhimi i qëndrueshëm i tokës bujqësore mbështetet me 25 milionë lekë. Synojmë integrimin e rreth 15 500 hektarëve në sistemin gjeografik të informacionit, digjitalizimin e katër regjistrave të tokës dhe integrimin e pesë njësive administrative në aplikacionin Web-GIS.

Ky proces është pjesë e zhvillimit të Sistemit të Informacionit për Tokën dhe integrimit të tij në GIS, me qëllim krijimin e një baze të strukturuar dhe të përditësuar të të dhënave.

Kjo do të thotë informacion më i saktë për parcelat, përdorimin e tokës, rrezikun e erozionit dhe infrastrukturën ujitëse, si bazë për vendimmarrje dhe konsolidim të ardhshëm.

Programi i Planifikimit, Menaxhimit dhe Administrimit ka një tavan prej rreth 663 milionë lekësh për forcimin e kapaciteteve administrative. Parashikohet shtimi i organikës së aparatit të ministrisë me 50 punonjës, për të mbështetur funksionet shtesë që dalin nga përafrimi ligjor dhe angazhimet e negociatave evropiane”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos