Ministri i Financave Petrit Malaj, në datat 26-27 qershor 2025, mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB) që u zhvillua në Vareze të Italisë.
Në një njoftim për shtyp Ministria e Financave bën të ditur se, në këtë takim morën pjesë ministrat e Financave dhe Guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të kësaj konstituence, si Italia, Shqipëria, Greqia, Portugalia, Malta, San Marino dhe Timori Lindor.
Në këto takime u diskutuan zhvillimet më të fundit të këtyre dy institucioneve ndërkombëtare, në kuadrin e Konstituencës dhe rritjes së bashkëpunimit midis vendeve anëtare.
Një vend të rëndësishëm në diskutimet mes pjesëmarrësve ishin zhvillimet e fundit gjeopolitike, sfidat që po kalojnë ekonomitë e vendeve të Europës, si dhe mënyrat për kapërcimin e tyre, shkruan A2 CNN.
Gjatë takimit, ndër të tjera, ministri Malaj theksoi rëndësinë e vijimësisë së koordinimit midis vendeve dhe mbështetjes nëpërmjet këtyre dy institucioneve partnere.
“Ekonomia jonë ka vijuar të rritet me ritme relativisht të larta e të qëndrueshme. Në vitin 2024, Prodhimi i Brendshëm Bruto arriti në rreth 25 miliardë euro, me një rritje reale prej 4%, ndërsa financat publike vijuan trajektoren e tyre konsoliduese, ku borxhi publik shënoi nivelin më të ulët prej 54% të PBB-së”, tha ministri Malaj.
Mbledhja e Konstituencës ishte gjithashtu një mundësi e mirë për të shkëmbyer përvojat midis vendeve në përballimin e sfidave të ndryshme.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar mbeten partnerë kyç në përparimin e agjendës së reformave për Shqipërinë.
Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. (A2 Televizion)