Në Shqipëri po vijnë më shumë turistë se kurrë më parë – mbi 1.3 milion hyrje u regjistruan vetëm në janar-mars 2025, një rritje me 35% krahasuar me një vit më parë. Por ndërsa rrugët gjallërohen me gjuhë të huaja dhe aparate fotografike, ekonomia nuk po ndjen të njëjtën gjallëri.
Turistët, një pjesë e mirë e të cilëve dorështrënguar, nuk po i zëvendësojnë dot shqiptarët e ikur. Konsumi i qytetarëve në tre-mujorin e parë të vitit u zgjerua me vetëm 2.45 për qind, niveli më i ulët që prej vitit 2021.
“Kjo kryesisht sepse turistët që kanë ardhur kanë shpenzuar pak. Kemi pasur të bëjmë me turistë të varfër, të paaftë për të shpenzuar”, deklaroi Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Bujtinave.
Në harkun e muajve janar-mars, Shqipërinë e vizituan mbi 1.6 milionë turistë të huaj. Por ndonëse të pranishëm, ata shpenzojnë pak. Shqiptarët që dikur mbushnin tregjet dhe kafenetë Ekonomia duket se po kërkon ende pulsin e konsumatorit vendas që po rreh më rrallë se dikur.
“Kjo ka lidhje më shumë me pritshmëritë e atyre tregtarëve të cilët prisnin të kishin një volum më të lartë dhe sidomos me atë që u pompua opinioni se do të kishim një konsum të shtuar si pasojë e turizmit. Mos të harrojmë gjithashtu se tkurrja e popullsisë në heshtje ndikon te konsumi pasi ne jemi ndjeshëm konsumatorë më të lartë se të huajt”, tha Rahhman Kasa, Unioni Turistik Shqiptar.
Turistët janë të mirëpritur, por të përkohshëm. Ata nuk blejnë mobilje, nuk marrin kredi, nuk mbushin karrocat e supermarketeve si dikur familjet shqiptare.
“Me gjithë numrin rekord të hyrjeve, xhiroja në treg nuk është ringjallur në të njëjtën masë. Në rrugët e Tiranës, Vlorës apo Shkodrës shihen fytyra të reja, por mungojnë zërat e vjetër”, u shpreh Kujtim Dervishi, kryetar i Shoqatës së Bujtinave.
Ekonomia shqiptare po mëson një të vërtetë të re: turizmi sjell frymë, por jo gjithmonë para’. Dhe nëse qytetarët ikin, as miliona vizitorë nuk e zëvendësojnë dot ritmin e konsumit të përditshëm që mban gjallë bizneset e vogla, tregjet, shërbimet dhe vetë jetën ekonomike të vendit. (A2 Televizion)