Mbështetja për “Start Up” do të vijojë, vitin e ardhshëm 300 milionë lekë në dispozicion të ideve

Nga A2 CNN
30 Shtator 2024, 19:08 | Ekonomi

Për çdo të ri, student, shtetas shqiptar apo i huaj që ka një ide, qeveria ka vënë në dispozicion 300 milionë lekë për vitin e ardhshëm. Në janar do të çelet edhe thirrja e tretë dedikuar “start up” që do të mbështesë 50 deri në 80 propozime për biznese në faza të ndryshme zhvillimi

“Qeveria i ka alokuar fondet edhe për vitin 2025 dhe në vijim. Do të kemi po të njëjtën vlerë, plotë 300 milionë lekë për të investuar në thirrjen e vitit 2025 që pritet të hapet që në fillim të vitit”, tha pë A2 Drejtori i Agjencisë “Startup Albania”, Arjan Ymeri.

Ata që janë në fazën e idesë do të mbështeten maksimalisht me 1.5 milionë lekë. Për idetë e materializua e që kanë aktivitet mbi një vit do të vihen në dispozicion maksimalisht 4.5 milionë lekë, ndërsa sipërmarrjet e konsoliduara, por që ende kanë nevojë për mbështetje financiare do të jepen deri në 9 milionë lekë, raporton A2.

Kjo me qëllim krijimin e një modeli tëri dhe të përmirësuar të ekonomisë.

“Që ne të ndihmojmë këto start-up për të krijuar një vlerë ekonomike, Është puna jonë kryesore. Pra është e kotë që ne të financojmë apo suportojmë start-up apo lehtësues apo institucione të tjera pa pasur një rrugë të qartë se ku duhet të arrijmë”, u shpreh Arjan Ymeri, Drejtori i Agjencisë “Startup Albania”.

Ndërkoha nga thirrja e fundit, përfituan 94 vetë nga 538 aplikantë në total. \Propozime idesh pati edhe nga jashtë vendit.

“Kishim 5 aplikantë nga diaspora dhe dy nomadë digjitalë që aplikuan në këtë thirrje, të cilët janë të interesuar për të kuptuar se si Shqipëria po lehtëson rritjen e ekosistemit”, tha Ymeri.

Megjithëse janë bërë hapa para në drejtim të mbështetjes së ideve që mund të kthehen në biznes, në Shqipëri vetëm 1 në 10 ndërmarrje “Start-Up” arrin të mbijetojë dhe të jetë i qëndrueshëm në treg. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos