Kushtet nuk janë pjekur për të zbutur më tej politikën monetare... Banka e Shqipërisë vendosi të mbajte të pandryshuar, në nivelin 3 për qind normën bazë të interesit për lekun.
“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve në të ardhmen. Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e përgjithshme e presioneve afatmesme po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit.”
Teksa argumentoi se ekonomia shqiptare do të vijë në rritje, e nxitur nga zgjerimi i mëtejshëm i konsumit dhe investimeve, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tregoi edhe se ku do të ndërhyhet për të ulur normat e interesit.
“Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri, dhe në veçanti nga analizat dhe vlerësimet mbi ecurinë e presioneve të brendshme inflacioniste. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.”
Pak ditë pas përplasjes në distancë me presidentin e Republikës, Bajram Begaj, Sejko ju rikthye “skandalit të mikrokredive”. Në përpjekje për të shpjeguar rolin e institucionet që drejton në këtë çështje, ai përsëriti gatishmërinë për ndryshime ligjore në drejtim të mbrojtjes së konsumatorëve.
“Banka e Shqipërisë dhe Këshilli Mbikëqyrës mbeten të gatshëm të mbështesin në vijim të gjitha reformat e nevojshme ligjore për adresimin e problematikave që kanë dalë në pah nga zhvillimet e tregut të trajtimit të kredive me probleme, si dhe të ndërmarrë me prioritet çdo nismë të nevojshme rregullatore, e cila qëndron brenda mandatit dhe kompetencës së vet.”
Pas shtatë rritjesh në gati dy vite e gjysmë, Banka e Shqipërisë vendosi të zbusë politikën monetare në fillim të muajit të shkuar. (A2 Televizion)