Mbetjet e rrezikshme drejt Tajlandës, Balluku: Porti i Durrësit nuk ka asnjë lidhje, çështja po hetohet

Nga Marjo Brakaj
28 Gusht 2024, 14:49 | Ekonomi

Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit për mbetjet e rrezikshme që prej vitit 1998, ndërsa përgjegjësia për kontrollin e tyre është e një kompanie koncesionare dhe jo e Portit të Durrësit.... Me këto argumente, duke konfirmuar se çështja është duke u hetuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi të pritet deri sa drejtësia të flasë.

Shqipëria eksporton dhe shërben si vend transit për mbetjet e rrezikshme që prej vitit 1998, ndërsa përgjegjësia për kontrollin e tyre është e një kompanie koncesionare dhe jo e Portit të Durrësit. Me këto argumente, duke konfirmuar se çështja është duke u hetuar, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kërkoi të pritet deri sa drejtësia të flasë.

“Autoriteti Portual i Durrësit me koncesionarit i cili ka kryer të gjitha këto transporte janë dy etnitete konkurrente që ta keni të qartë dhe ta shihni çështjen me një sy tjetër. Megjithatë unë do ndalja këtu informacionin për këtë çështje pasi ,qeveria Shqiptare, të gjitha institucionet ligj-zbatuese janë duke bashkëpunuar me OLAF-in”, tha Balluku, raporton A2 CNN.

Në vazhdën e argumenteve se “Porti i Durrësit nuk është përgjegjës për mbetjet që u nisën drejt  Tajlandës”, Balluku tregoi edhe mbi procedurën e eksporteve. “Duhet të dalim një herë në rezultate, të shikojmë se çfarë ka ndodhur. Nga ana tjetër është detyrim i etnitet transportues, apo prodhuesit. Në disa raste ka qenë  vetë Kurum që ka kryer transportin e mbetjeve të rrezikshme. Është detyrim i tyre që të bëjnë vetë-deklarimin”.

Duke e konsideruar si “një çështje me rëndësi të madhe sociale dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me familjet shqiptare”, Balluku tregoi veprimet që po kryehen pas njoftimit të kompanisë Kurum për të pushuar nga puna rreth 500 punonjës. “Kjo është një çështje sociale. Tejkalon çështjet komerciale, tregtare. Ne e kemi në fokus dhe në ditët në vijim do të ketë një komunikim për këtë pasi është një çështje sociale që na shqetëson shumë”, tha Balluku, citon televizioni A2 CNN.

Kompania Kurum e argumenton largimin e rreth 500 punonjësve me faktin e rritjes së kostove dhe vështirësive ekonomike. Por shifrat e dorëzuara në institucionet shtetërore tregojnë të kundërtën e asaj që pretendon kjo kompani. Nga të dhënat konfirmohet se “Kurum” është një ndër kompanitë që ka rezultuar me fitimet më të larta në dy vitet e fundit./A2 CNN (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos