Ministri i Financave dhe Drejtori i Doganave inspektojnë skanerin e Portit të Durrësit

Nga A2 CNN
11 Gusht 2025, 14:26 | Ekonomi

Ministri i Financave dhe Drejtori i Doganave inspektojnë skanerin e Portit

Ministri i Financave, Petrit Malaj, së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Genti Gazheli, zhvilluan një vizitë inspektuese pranë skanerit të Portit të Durrësit, ku gjatë tre muajve të fundit është shënuar një ulje e ndjeshme e numrit të skanimeve, sipas ministrisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, theksoi: “Rritja e volumeve të mallrave ka sjellë edhe rritje të ritmit të zhdoganimeve. Në çdo vit, Porti i Durrësit përpunon rreth 15% të volumit total të import–eksporteve, duke qenë pika më e rëndësishme kufitare në këtë drejtim. Kemi arritur të ulim kohën e përpunimit dhe qëndrimit në port, si dhe të reduktojmë me mbi 10% kohën e skanimit për subjektet që e përdorin si pikë hyrëse dhe dalëse.”

Nga ana e tij, Ministri i Financave, Petrit Malaj, u shpreh: “Këto janë masa të domosdoshme, që shkojnë drejt modernizimit të administratës doganore dhe përputhjes së proceseve të punës me standardet e Bashkimit Europian. Një doganë e shpejtë, transparente dhe e besueshme është thelbësore për të arritur objektivat tona dhe për t’u afruar më shpejt me standardet e BE-së.”

Ky përmirësim është rezultat i marrëveshjes së firmosur në muajin prill, në prani të Kryeministrit Edi Rama, e cila garanton një qasje të koordinuar mes Doganës dhe Policisë së Shtetit, me kontrolle të targetuara vetëm mbi bazën e riskut. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, po punohet për të reduktuar edhe më tej numrin e skanimeve, duke siguruar balancën e duhur mes sigurisë dhe lehtësive për biznesin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos