Më shumë se në rajon e madje botë, për të blerë një apartament në Tiranë duhen gati 18 vite

Nga Marjo Brakaj
3 Nëntor 2025, 17:39 | Ekonomi

Për të blerë një apartament në Tiranë duhen gati 18 vite. Me treguesin që ndryshon në varësi të të ardhurave të individëve, koha mesatare e nevojshme për pasjen e një strehe është rritur me 2 vite e gjysmë krahasuar me 2024-n sipas Numbeo, platforma ndërkombëtare e të dhënave krahasuese. Kjo për shkak të vijimit të shtrenjtimit të çmimeve të pasurive të patundshme nga njëra anë dhe inflacionit që gërryen të ardhurat e shqiptarëve nga tjetra.

“Nuk kemi njohur as rënie të kërkesave dhe as rënie të çmimeve”, tha Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Koha mesatare për blerjen e një apartamenti në raport me të ardhurat në Tiranë është më e gjata në Rajon. Një malazezi në Pogdoricë i duhen vetë 11.3 vite për të blerë një apartament, një maqedonasi në Shkup 13.7 vite dhe një shqiptari të Kosovës 14.4 vite në Prishtinë. Koha mesatare e nevojshme për blerjen e një apartamenti në Sarajevë rritet në 15.4 vite dhe në Beograd në 16.3, por duke mbetur poshtë Tiranës.

Kjo jo se çmimet e apartamenteve janë më të larta, por për shkak të ardhurave të ulëta. Një metër katror në Beograd, Sarajevë dhe Podgoricë kushton më shumë se në Tiranë, shkruan A2 CNN.

“Krahasimi me vendet e tjera të Rajonit është pak subjektiv, pasi tregjet ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra. Çmimet, struktura e të ardhurave dhe mundësitë e financimit nuk janë të njëjta, prandaj edhe koha e nevojshme për të blerë një apartament duhet interpretuar në kontekstin lokal”, tha Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Tirana “konkurron denjësisht” edhe kryeqytetet e shteteve më të pasura në Evropë dhe Botë në drejtim të kohës së nevojshme për të blerë një apartament.  Për të blerë një banesë në Tiranë duhen më shumë vite se  në Bernë të Zvicrës, Berlin të Gjermanisë, Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Sidnej të Australisë apo Rio de Zhaneiro të Brazilit.

“Kjo nuk lidhet domosdoshmërisht me çmimet absolute, që mund të jenë më të ulëta se në Bernë, Berlin, Nju Jork, Sidnej apo Rio de Zhaneiro, por reflekton të ardhurat më të ulëta të qytetarëve tanë. Prandaj, sfida për të siguruar strehim të qëndrueshëm mbetet reale dhe e ndjeshme”, tha Reinaldo Pipiria, Drejtor Ekzekutiv i NAREA.

Në këtë kontekst, blerja e një apartamenti në Tiranë mbetet një sfidë afatgjatë për shumicën e qytetarëve, duke reflektuar jo vetëm shtrenjtimin e pasurive të patundshme, por edhe realitetin e të ardhurave të ulëta. Megjithatë, kjo sfidë nxit gjithashtu një reflektim mbi nevojën për politika që lehtësojnë aksesin në strehim, mundësi financimi më fleksibël dhe zhvillime urbane që e bëjnë kryeqytetin më të përballueshëm për të rinjtë dhe familjet shqiptare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos