Paradoksi shqiptar. Varfëria rritet, kursimet në banka shtohen

Nga Marjo Brakaj
31 Tetor 2025, 19:11 | Ekonomi

Në fund të shtatorit, në banka pati mbi 1.4 trilionë lekë të depozituara. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë tregojnë se në krahasim me gushtin, vlera e parave të depozituara nga qytetarët dhe bizneset u zgjerua me 12.5 miliardë lekë.

Leons Hasani, ekspert për ekonominë, u shpreh për A2 CNN: “Ne vlerësojmë që ka një rritje të të ardhurave të familjeve shqiptare dhe të individëve. Por duke iu përgjigjur pyetjes suaj se sa kursejnë shqiptarët dhe se sa ata janë në gjendje të kursejmë kjo lidhet sa me kulturën e tyre financiare aq edhe me nivelin e  të ardhurave”.

Dhe në një kohë që kursimet në banka shtohen, një pjesë e konsiderueshme e popullatës ankohet se nuk ka para as për të kaluar muajin. 

“Unë punoj dhe ha, nuk kam kursime. Nuk na del për të kursyer. Kurse sot e kurse nesër, nuk kemi ça bëjmë. Në këtë vend jemi. Nuk del dot jashtë kornizës. Po jo. Ku ka. Nuk kemi ndonjë buxhet për të kursyer. Nuk na del”, thonë qytetarët.

Paradoksi shpjegohet me të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave. Më shumë se gjysma e parave të kursyera u përkasin vetëm 5 për qind të qytetarëve.

“Duke marrë parasysh se 40 për qind e të ardhurave të individëve shkojnë për konsum bazë.. Kjo tregon nga ana tjetër që do të kemi nivel të ulët të kursimeve. Kjo rrjedhimisht përcjell efekte në ekonomi duke ngadalësuar shumë procese ekonomike. Në disa qarqe ka rritje, në disa qarqe ka rënie. Për shembull në qarqet e Veriut ke mi rënie të nivelit të të ardhurave të familjeve shqiptare, ndërkohë që në qarkun e Durrësit, Tiranës dhe Korçës kemi rritje të indeksuara të ardhurat me normën e inflacionit”, shton Hasani.

Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se për shkak të zhvlerësimit të euros, në banka po zgjerohen depozitat në lekë. Kursimet në monedhën kombëtare në fund të shtatorit kapërcyen shifrën e 681 miliardë lekëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos